Prej dy dekadash, Erkand Qerimaj, është një emër që i ka dhënë dhe po i jep Shqipërisë rezultate dhe medalje të rëndësishme në evenimentet madhore të peshëngritjes ndërkombëtare.
Shkodrani, i cili një muaj më parë ka mbushur 34-vjeç, ka kaluar një sezon të jashtëzakonshëm, me tituj kampionë Europe apo medalje Mesdhetare.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, Qerimaj komenton sezonin e tij të artë, ndërsa flet edhe për objektivat që e presin.
Por kampioni kuqezi i shtangës, ndalet edhe te disa çështje delikate, siç janë dopingu apo vlerësimi i qeverisë për kampionët.
Shtangisti thotë se ndihet keq, kur shikon që realizohen ceremoni për sportistë pa merita sportive, ndërsa nuk nderohen kampionët e vërtetë, ata që ngrenë lart flamurin.
Qerimaj gjithashtu, prek edhe një tjetër ngërç, atë të punësimit në Ministrinë e Mbrojtjes, teksa thotë se nuk po zbatohet ligji me shumë medalistë shqiptarë.
Ai e quan të palogjikshme që të drejtën e punësimit nga shteti shqiptar, ta përfitojnë më parë sportistët që përfaqësojnë flamurin e Kosovës sesa ata që nderojnë flamurin kuqezi.
Erkand, shtanga nuk ka vetëm polemika apo skandale dopingu, por edhe rezultate e medalje, ju keni pasur një sezon të shkëlqyer.
“Ka qenë një supervit për mua, sepse të dalësh kampion Europe, medalist i argjendtë në Mesdhetare apo në katërshen në të mirë të botës nëse kthehemi pak më mbrapa, me diferenca të vogla me ata që kisha sipër në renditje. Kanë qenë rezultate fantastike, ku sigurisht qershia mbi tortë ishte medalja e arit në Kampionatin Europian. Pra, në përgjithësi ka qenë një vit i shkëlqyer për mua”.
Vitet kalojnë, por mbeteni gjithnjë aty, duke fituar medalje. Cili është sekreti i formës suaj?
“Siç dihet, unë pata edhe një ndryshim në kategorinë e peshës që nga olimpiada, e ula disa kg peshën. Rezultatet e mia më të mira të karrierës i kam pasur 77 kg dhe tani zbrita pak a shumë te pesha ime, 73 kg. Edhe në peshën më lart mora medalje, por të them të drejtën nuk është se isha përshtatur 100%. Kjo ishte një lëvizje teknike sportive që më solli te rezultatet e mia që kam pasur gjithmonë, sepse unë jam shpallur kampion Europe që në moshën 14 vjeç apo kampion bote me të rinjtë, pra nuk është se janë rezultate që po i marr tani. Po bëhen 20 vite që marr medalje europiane, botërore apo mesdhetare. Që në momentin kur unë vendosa të ndryshoj peshën shumë njerëz ishin skeptikë, madje kishte nga ata që thoshin se nuk do të zbrisja farë në peshë, sepse bëhej fjalë për të hequr 9 kg. Por përveçse rashë në peshë, pata rezultate shumë të mira dhe në rritje, rezultate elitare botërore”.
Ndërkohë, me ndryshimin e peshës keni mbajtur larg edhe dëmtimet, gjë që nuk është e lehtë, pasi siç e thatë, keni rënë rreth 9 kg.
“Po, është e vërtetë, ka qenë një sezon shumë i mirë edhe në këtë aspekt dhe jam i kënaqur. Ka qenë një lëvizje shumë e mirë, jo vetëm për mua, por për Shqipërinë, federatën, Komitetin Olimpik, si dhe për klubin e Tiranës, pasi janë fituar medalje”.
Që prej Mesdhetareve shtanga është në një periudhë pauze. Cila është gara dhe objektivi i radhës për ju?
“Pas Mesdhetareve bëra një pushim, sepse e kisha shumë të nevojshme për të pushuar dhe për të qëndruar me familjen. Por kam filluar gradualisht përgatitjet dhe po stërvitem çdo ditë rregullisht, pasi kemi kampionatin botëror që do të mbahet në Kolumbi në dhjetor. Kjo është edhe gara më e rëndësishme e momentit, sepse është edhe kualifikuese për Lojërat Olimpike të Parisit”.
Duke u rikthyer te zhvillimet e kohëve të fundit dhe rasteve të dopingut. Kemi pasur përplasje mes Elez Gjozës dhe Pirro Dhimës. Sipas jush, cili është roli i federatave në këtë mes?
“Unë po jap mendimin tim personal si kampion Europe dhe sportist. Për rastin konkret nuk është se e di saktësisht se çfarë ka ndodhur, sepse nuk kam pasur komunikim me vajzën (Evangjeli Velin), por mendoj se një konflikt mes dy federatave nuk i shërben askujt dhe nuk sjell diçka pozitive për sportin shqiptar. E mira është që të dalin vetë ata që u ka ndodhur problemi e të prononcohen për këtë çështje dhe të gjejnë se kush është përgjegjësi. Por në këtë rast, me sa di, edhe procesi nuk ka përfunduar akoma. Konflikti nuk sjell asgjë pozitive”.
Si ndiheni kur shikoni që qeveria u rezervon pritje sportistëve si Florian Marku që nuk kanë fituar medalje, tituj Europianë, Botërorë, Olimpikë apo Mesdhetarë, ndërsa kampionë si ju, Briken Calja, Alban Beqiri, etj., nuk jeni pritur?
“Normalisht, kur arrin një rezultat fantastik pret edhe që të vlerësohesh, dhe sigurisht që ndihesh keq. Je në një sport profesionist të njohur nga federata botërore apo komiteti olimpik ndërkombëtar dhe shikon që vlerësohen njerëz që unë realisht nuk e di se çfarë përfaqësojnë. Përveç reklamës që i kanë bërë nuk e di se çfarë merite sportive përfaqëson për ta merituar një ceremoni të tillë. Të marrësh një vlerësim nga kryeministri duhet të kesh arritur diçka si rezultat në nivel europian, botëror apo në një olimpiadë. Pra, normalisht që nuk ndihemi mirë, që të themi realitetin”.
Ndërkohë, si medalist ndërkombëtar, a keni përfituar punësim në Ministrinë e Mbrojtjes?
“Me ligj më takon punësimi në Ministrinë e Mbrojtjes, por ky ligj nuk funksionon. Më përpara po punësohen sportistë që kanë ngritur një flamur tjetër, sesa në që kemi nderuar flamurin tonë kombëtar. Personalisht nuk kam asgjë me këta sportistë, por më duket pa sens diçka e tillë. Është njësoj sikur Kosova të na vlerësojë ne kampionëve të Shqipërisë para se të vlerësojë sportistët që kanë nderuar Kosovën. Nuk jam vetëm unë që nuk jam punësuar në Ministrinë e Mbrojtjes, si unë është edhe Alban Beqiri, medalist botëror në boks, apo edhe sportistë të tjerë që kanë fituar medalje ndërkombëtare si Krenar Shoraj, Daniel Godelli, atleti Izmir Smajlaj, etj. Pra, nuk është se bëhet fjalë për vetëm një rast. Tani mbetet për t’u parë me këto ndryshimet që do të bëhen, me vendimet e reja, nëse do të funksionojnë. Është njësoj si të përfitoj unë si kampion Europe vlerësim nga shteti i Kosovës para kampionëve të Kosovës. Është pak pa logjikë, sepse në radhë të parë shteti duhet të vlerësojë ata që përfaqësojnë flamurin kombëtar dhe më pas sigurisht nuk ka asgjë të keqe që të mbështesë edhe të tjerët. Ne që ngremë flamurin shqiptar, jemi në radhë të parë edhe taksapagues të shtetit. Është diçka që na ka indinjuar pak ne sportistëve kampionë të Shqipërisë. Nuk dua të bëj polemikë, por po them realitetin, për diçka që na takon me ligj. Sigurisht që janë rregulluar disa gjëra, siç janë shpërblimet apo trajtimet, por kjo nuk shkon”, shprehet ai.
Diskutime rreth kësaj post