Nga Mero Baze
Shqipëria po përsërit traditën e frikshme të çdo viti, kur në muajin gusht, zjarret ndezin shpatet e maleve dhe vënë përpara pyje dhe kullota, duke shkretuar gjithçka. Gjeografikisht, Shqipëria është një vend i cili nuk duhet të ketë kaq problem zjarret, por faktikisht, pas vitit 1991, ato po kthehen në shfarosëse masive të pyjeve dhe kullotave.
Arsyeja është më shumë se banale. Disa barinj shqiptarë, e kanë të mbushur mendjen top, që kullotat duhen djegur në fund të korrikut, që të bëhet bar i njomë pasi të bjerë shi dhe ta kenë më të lehtë të kullosin bagëtitë në vjeshtë. Shtoji dhe legjendën se djegia i bën mirë tokës, dhe ne jemi tani të ekspozuar para një fenomeni të papërgjegjshëm, që po rrënon vendin.
Përballë kësaj papërgjegjshmërie, gjendet një shtet i pafuqishëm, i papërgatitur, i paditur dhe i pamësuar me përballimin e emergjencave civile në mënyrë profesionale. Zjarrfikësit shqiptarë janë aq të paktë, aq të pakualifikuar dhe aq të pambështetur në punën e tyre, sa konsiderohet vend pune me mik për të ndenj rehat.
Bashkitë kryesore të Shqipërisë vetëm këtë vit, kanë ngritur zyrat e tyre të zjarrfikësve, por dhe ato, për të punësuar ndonjë militant.
Shqipëria nuk ka asnjë avion çistern për të fikur zjarret në pyje, asnjë helikopter të tillë dhe asnjë personel flote të përgatitur për operacione të tilla.
Dhe ndërsa pyjet gjenden mes zjarresh, qeveria gjendet mes dy zjarresh, mes barinjve të papërgjegjshëm që djegin pyjet dhe pafuqisë së saj për të përballuar situatën.
Të parët nuk ke si i ndërgjegjëson përveçse me një ashpërsim ekstrem të Kodit Penal për zjarrvënie të qëllimshme. Dënime të tilla duhet të shkojnë në maksimum, për t’u bërë shembull dhe për t’i kujtuar kujtdo, se çdo të thotë t’i vësh zjarrin një mali dhe të ikësh në shtëpi e ta sodisësh, se çfarë ke bërë.
Nga ana tjetër, ky operacion duhet shoqëruar me kontrollin mbi territorin, të shoqëruar me përgjegjësi ligjore. Barinjtë që marrin kullotat me qira duhet të arrestohen, nëse ata nuk gjejnë kush e ka vënë zjarin. Ata janë përgjegjës jo vetëm për të kulltour bagëtitë, por edhe për ta ruajtur atë territor. Kuadri ligjor duhet të forcohet në ekstrem dhe duhet të shoqërohet me një debat të fortë publik, që ky fenomen të marrë fund. Çdokush kur fut dorën në xhep e prek shkrepsen, duhet të kujtohet se e pret burgu, njësoj si atë që fut dorën në brez e nxjerr pistoletën për të vrarë.
Arrestime tre mujorëshe dhe nxjerrja në TV e disa idiotëve që vënë zjarre, nuk zgjidh gjë. Ajo kategori qytetarësh gdhendet vetëm po e kuptoi se ligji mund t’i marrë gjithë jetën që i ka mbetur, njësoj si ai pyllit.
Qeveria duhet ta marrë seriozisht ngritjen e një trupe profesionistësh për emergjencat civile të zjarreve e përmbytjeve. Zjarrfikësi shqiptar duhet të shkojë drejt modelit të zjarrfikësit perëndimor, që është heroi i qytetarëve. Ata duhet të mirëpajisen, të kenë një flotë ajrore dhe tokësore, të aftë të depërtojë në çdo cep të vendit, dhe të kenë një hartë të veprimit për gjithë territorin që mbulojnë, në rast rreziku.
Në situatën që gjendemi ne sot, nuk kemi asnjë trup zjarrfikësish të aftë të depërtojnë në territorin që mbulojnë dhe kam frikë se kanë shkelur aty, vetëm kur bie zjarr. Investimi tek ta, duhet të jetë një prioritet kombëtar, pasi në një shoqëri të mbushur me rreziqe pafund, mungesa e një trupe profesionistësh zjarrfikësish, e shton panikun dhe papërgjegjshmërinë e shoqërisë ndaj fatkeqësive të tilla. Dhe mbi të gjitha, duhet të kuptohet se zjarrfikësi nuk është vend pune për ndere nga kryetarët e bashkive apo emergjencat civile. Është një hero i qytetarëve që duhet ta meritojë atë emër. Një hero, që në këtë vend nuk ka lindur ende dhe nuk e lënë të lindë.
Diskutime rreth kësaj post