Pas 21 orësh diskutime e debati, Kuvendi votoi me 78 vota pro e 51 kundër kabinetin e ri qeveritar të drejtuar nga Edi Rama dhe programin e tij qeverisës për 4 vitet e ardhshme.
Ndonëse në Kuvend kanë qenë të pranishëm 136 deputetë, vetëm 129 kanë votuar. Sali Berisha dhe 6 deputetë të tjerë demokratë nuk kanë votuar. Ndërsa të pranishëm në momentin e votimit në orën 6:00 të mëngjesit nuk kanë qenë 4 deputetë, Agron Çela, Lefter Koka dhe Vangjel Tavo nga LSI dhe Eduard Halimi nga PD.
Por, edhe pak minuta përpara votimit, Edi Rama dhe Lulzim Basha replikuan sërish me njëri-tjetrin. Kryeministri ironizoi opozitën për kundërshtimin që i bëri programit qeverisës, ndonëse nuk ngurroi edhe njëherë t’i shtrijë dorën e bashkëpunimit opozitës.
“Dora jonë do të vazhdojë të shtrihet ndaj jush, edhe s’ keni parë gjë akoma. Më vjen keq që unë nuk bëra dot asnjë dallim mes fjalëve tuaja sot dhe atyre që thatë 4 vjet më parë po këtu. Nuk çuditem as për këtë, mirë nuk më vjen që nuk sfiduat për asnjë çast qeverinë e re me artikulimin e qoftë edhe vetëm një gjëje të re”, tha kryeministri.
Rama iu përgjigj edhe akuzave të opozitës për blerje të votave për Gramoz Ruçin: “Protagonistët e republikës së vjetër vunë kunjën që votat u blenë nga krimi. Ndërsa prurjet e republikës së re thanë që votat u vodhën në një grackë që e kishin vetë ata, duke lënë bosh vendin e numëruesit”.
Megjithë kundërshtinë e Gramoz Ruçit, Lulzim Basha foli përpara deputetëve po aq sa kryeministri, duke hedhur poshtë programin e prezantuar nga qeveria: “Edi Rama, këtu ke ardhur të kërkosh votëbesimin e Parlamentit, nuk ke ardhur të flasësh në emrin tim, as në emër të opozitës dhe nuk mund të flasësh kurrë. Është shprehje e shterpësisë totale të fletushkës që ke paraqitur në vend të programit dhe e mungesës totale të programit që karakterizoi jo vetëm fushatën, por edhe pas fushatës që 10-minutëshin e fundit para këtij Kuvendi e zgjodhe për sulme dhe diversione ndaj opozitës dhe të tjera llafe dhe vetëm llafe boshe”.
Dhë në fjalën e tij, Basha iu rikthye edhe një herë akuzave se në Parlament ende ka deputetë të inkriminuar, të cilët kanë gënjyer në formularin e dekriminalizimit.
“Nuk m’i lejon etika sepse falë ligjit të dekriminalizimit që PD dhe unë të detyruam ta pranoje, nuk i ke më këtu. Dhe kam aq burrëni sa mos t’i përmend këtu kur nuk i kam përballë. Por, ke të tjerë që kanë gënjyer në formularët e dekriminalizimit dhe që do të përballen me pasojat politike dhe kriminale të këtyre akteve, sikurse ke ushtarë të mafies dhe të drogës që nuk i lidh asgjë me PS. Kriminalizimi dhe droga janë e reja që kërkove mes 2013 dhe 2017”, tha Basha.
Diskutime rreth kësaj post