Qeveria gjermane dhe Policia Federale i kanë dhuruar sot një paketë ndihmash Policisë Shqiptare, për të ndërhyrë dhe dhënë ndihmën e parë në raste katastrofash natyrore.Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj falënderoi shtetin gjerman dhe diplomatët e Ambasadës gjermane për ndihmën e ofruar në rastet e emergjencave civile, dhuruar për forcat e FNSH, në Policinë e Shtetit.
Kjo paketë ndihmash përbëhet prej gjeneratorësh elektrikë, pompa uji, sendesh e pajisje të tjera, që janë të nevojshme në raste akute të emergjencës, përmbytje, tërmete ose katastrofa të tjera natyrore. Në ceremoninë e zhvilluar për dorëzimin e donacioneve ishte i pranishëm Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, zyrtarë të lartë të Policisë, diplomatë e forca policore.
“Për mua është një kënaqësi e veçantë që jemi sot këtu bashkë me Ambasadorin, për të shënuar dhe një hap tjetër në drejtim të thellimit të marrëdhënieve tona me Gjermaninë. Është e disata herë gjatë një viti që po bëj në këtë detyrë, që së bashku me ambasadorin, respektivisht ambasadoren gjermane, tashmë me Ambasadorin e ri, jemi mbledhur për të nënshkruar dokumente, të cilat plotësohen në vijim të ndihmave që Republika Federale Gjermane i jep Policisë Shqiptare dhe sot është rasti prapë për këtë. Para disa muajsh ne patëm një tërmet të rëndë në Shqipëri, i cili na vuri në provë të gjithëve. Në radhë të parë Policinë e Shtetit, e cila ishte struktura e parë, që u angazhua në ndihmë të qytetarëve të prekur nga tërmeti. Pastaj dhe shumë struktura të tjera të funksioneve shtetërore. Menjëherë pas tërmetit patëm dhe një situatë përmbytje në zonën e Ishmit, të Laçit, pra në pjesën perëndimore të vendit”, u shpreh Lleshaj.
Diskutime rreth kësaj post