Qeveria e Kosovës thotë se i ka dyert e hapura për përfaqësuesit e Listës Serbe që të rikthehen dhe vazhdojnë punën në kuadër të institucioneve qendrore.
Zyrtarë të ekzekutivit theksojnë se deri më tash nuk kanë pranuar ndonjë shkresë nga Lista Serbe për bojkotimin e institucioneve qendrore të Kosovës. Andaj, Listës Serbe nuk do t’i drejtohet ftesë me shkrim që të kthehet, por do të ftohen përmes deklarimeve publike.
Zëvendësministri i Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Bajram Gecaj, tha për Radion Evropa e Lirë se kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tashmë u ka bërë ftesë publike përfaqësuesve të Listës Serbe.
“Ftesa është serioze. Ne presim që ata të vijnë dhe t’i përgjigjen asaj ftese. Presim që të ulen me kryeministrin dhe t’i shprehin të gjitha brengat që i kanë për të gjitha çështjet që mund të jenë kontestuese”.
“Ata na kanë thënë se ju nevojitet edhe pak kohë që të konsolidohen brenda për brenda, pra diskutime të brendshme dhe ne nuk ua kemi vënë lakun në fyt, siç thotë populli. Pra, ne po presim që ata kurdo që të jenë të gatshëm të vijnë te kryeministri dhe t’i diskutojnë të gjitha brengat që i kanë”, tha Gecaj.
Subjekti politik, Lista Serbe, që përfaqëson komunitetin serb në institucionet e pushtetit lokal dhe qendror në Kosovë, ka deklaruar se është në pritje të ftesës nga kryeministri dhe partitë e koalicionit qeverisës që të bisedojnë rreth kthimit në institucione.
Kryetari i Listës Serbe, Sllavko Simiq, ka deklaruar se ai dhe Lista Serbe janë të gatshëm të ulen dhe bisedojnë me kryeministrin Isa Mustafa dhe krerët e partive partnere të koalicionit në Prishtinë.
“Ne edhe më tutje presim që partnerët tanë të koalicionit të na ftojnë dhe të na propozojnë se si ta tejkalojmë këtë vakuum politik dhe këtë krizë politike”, ka thënë Simiq për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, varësisht ftesës dhe propozimit që do të ofronin krerët e koalicionit në Prishtinë, atëherë Lista Serbe do të vendoste nëse do të rikthehej në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës.
Lista Serbe mori vendim që të ngrijë përfaqësimin në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës në shenjë proteste pas miratimit të Ligjit për Trepçën dhe atij për Investimet Strategjike.
Gecaj tha po ashtu se koalicioni qeverisës Listën Serbe edhe më tej e konsideron pjesë të koalicionit.
“Ata janë pjesë e institucioneve, megjithëse nuk kanë dalë në punë. Pra, kemi një koalicion pas zgjedhor me PDK-në, Listën Serbe dhe komunitetet tjera. Ata janë partnerë tanë”, tha Gecaj.
“Unë e kam thënë disa herë deri tash që një koalicion qeverisës – që të qeverisë – duhet t’i ketë 61 vota. Ne kemi shumë më shumë se 61 vota. Por, megjithatë, nuk ka vota ta mjaftueshme për çështje që kërkojnë dy të tretat apo 80 për qind”, ka thënë Gecaj.
Përfaqësuesit e komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës kanë thënë se prioritet për bashkësinë serbe në Kosovë është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Themelimi i Asociacionit pritet të jetë një nga temat kryesore në rast se Lista Serbe do të ulet me partnerët e koalicionit qeverisës në Prishtinë. (REL)
Diskutime rreth kësaj post