Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në ceremoninë për nisjen e punimeve për krijimin e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, pranë Parkut të Liqenit në Tiranë. Rama e ka konsideruar ndërtimin e saj si një vepër ikonike për kryeqytetin.
“Ishte e paimagjinueshme që fëmijët të mos kishin një Teatër të denjë Kukullash, por vazhdonin të frekuentonin teatrin e vjetër që tani i është nënshtruar një restaurimi, sepse është Monument Kulture i mbrojtur. Do jetë një hapësirë me të gjitha kushtet për fëmijët dhe një vepër ikonike e transformimit të Shqipërisë, kryeqytetit dhe një territori të tërë si ky”, u shpreh ai.
Më tej, kryeministri tha se veç ndërtimit dhe kushteve të reja, ky investim i ri ka nevojë dhe për njerëz të përkushtuar dhe të kualifikuar, që të krijojnë dhe shfaqin përmbajtje cilësore.
“Dua të theksoj që përtej godinave, përtej infrastrukturave të reja, përtej kushteve të reja, na duhen njerëz të përkushtuar, të kualifikuar dhe të angazhuar për t’i mbushur këto hapësira me përmbajtjen po aq cilësore. Kjo është detyra tjetër e Ministrisë së Kulturës, e qeverisë, e jona, bashkë me Bashkinë, për të bërë gati një skuadër të denjë për këtë vepër”, u shpreh Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.
Diskutime rreth kësaj post