Qarku i Kukësit edhe pse ka normat më të larta të lindjeve në vend në raport me vetveten ka shënuar rënien më të madhe të lindshmërisë në rang vendi në katër vitet e fundit me rreth 28%, sipas te dhënave te përpunuara nga INSTAT.
Pas Kukësit më rënie drastike të lindshmërisë janë për përballuar edhe qarqet e Fierit (-27%), Vlora me (-26%) dhe Berati po me (-26%) gjatë periudhës 2017-2021.
Të dhënat tregojnë se, qarqet më rënien më të madhe të lindjes kanë edhe shifra të larta të zhvendosjes së popullsisë si brenda dhe jashtë vendit.
Vala e azilkërkuesve që nisi në vitin 2005 goditi më së shumti qarkun e Kukësit, ku më mijëra persona u larguan kryesisht drejt Gjermanisë duke zbrazur lagje të tëra. “Boshatisja” e qytetit e ka ndikuar për keq edhe zhvillimin ekonomik të këtij qarku, i cili është i vetmi që ka shënuar rënie ekonomike gjatë kësaj dekade teksa të tjerët janë rritur.
Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti në Kukës kanë lindur 534 foshnja, nga 722 në 6-mujorin e parë 2017. Lindjet kanë shënuar rënie dyshifrore në të gjitha qarqet e vendit në katër vitet e fundit, por fenomeni ka qenë më i lartë në qarqet që kishin normë të lartë të ikjes së popullsisë.
Shqipëria është duke përjetuar zhvillime alarmante në humbjen e popullsisë, për shkak të emigracionit të lartë, i cili ka një efekt negativ të dyfishtë pasi pengon rritjen e popullsisë në të ardhmen nëpërmjet rënies së lindjeve. Edhe pas tri dekadash nga ndryshimi i sistemit, flukset emigratore janë të larta, duke e vënë perspektivën e zhvillimit të vendit në një rrugë pa krye.
Rezultatet që dolën nga anketa e madhe e emigracionit që zhvilloi INSTAT, në bashkëpunim me donatorët në rreth 20 mijë familje (prill-korrik 2019) treguan se janë larguar nga vendi mbi 360 mijë persona, ose 13% e popullsisë banuese në vitin 2011. Anketa ka zbuluar një fakt të frikshëm në dekadën e kaluar, pasi fenomeni është zgjeruar në emigrimin e së gjithë familjes. Gjatë 10-vjeçarit të fundit janë larguar nga vendi 6,6% e familjeve, gjithsej 49,500 të tilla, ndërsa në vitet 2001-2011 ishin larguar 4.4% e njësive familjare.
Në totalin e familjeve të larguara jashtë, numrin më të madh e ka Tirana, ku raportohet se janë larguar 10,3% e totalit të qarkut, ndërsa qarqet me humbjet më të mëdha të popullsisë janë Kukësi dhe Tropoja në Veri, Durrësi dhe Elbasani në qendër dhe Fieri në Jug.
Diskutime rreth kësaj post