Qeveria siriane dhe grupet e rebelëve kanë arritur një marrëveshje armëpushimi, e cila do të hyjë në fuqi nga ora 23 e natës së të enjtes, sipas asaj që ka njoftuar vet presidenti rus, Vladimir Putin, e që do t’i hapë rrugë edhe nisjes së bisedimeve për paqe.
Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu kishte thënë më herët se Turqia dhe Rusia do të vepronin si garantuesit e planit të armëpushimit. Dy vendet në fjalë mbështesin palë të kundërta në konfliktin që ka pllakosur vendin prej më shumë se 5 vitesh.
Armëpushimi nuk do të aplikohet në rastet e dy grupeve kryesore xhihadiste në Siri, më konkretisht për të ashtuquajturin Shtet Islamik dhe Jabhat Fateh al-Sham, apo siç njihej më parë “Fronti al-Nusra”, thanë burime turke gjatë ditës së sotme.
Por, siç raportohet, marrëveshja mbulon edhe zonën lindore të Ghoutas, pranë Damaskut, që kontrollohet prej rebelëve, një prej pikave kyçe të negociatave.
Më herët gjatë këtij muaji, Moska dhe Ankaraja negociuan një armëpushim për qytetin e dytë më të madh të Sirisë, Aleppon, që çoi në evakuimin e dhjetëra mijëra luftëtarëve rebelë dhe civilëve nga enklava e rrethuar nga forcat qeveritare.
Nismat e mëparshme për armëpushim, gjatë këtij viti, që janë ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara, ose falë veprimit të Shteteve të Bashkuara me Rusinë, janë shkelur me një shpejtësi të paimagjinuar.
Ndërkohë, së fundi Putin ka njoftuar edhe nënshkrimin e 3 dokumenteve: së pari marrëveshjes mes qeverisë siriane dhe opozitës së armatosur për armëpushim; masave për mbikëqyrjen e armëpushimit dhe një marrëveshje për nisjen e bisedimeve të paqes.
Presidenti rus e përshkroi marrëveshjen si tepër “të brishtë”, por lavdëroi arritjen e saj si rezultat i punës së madhe të bërë nga ministrat rusë të Jashtëm dhe të Mbrojtjes me partnerët e Moskës në rajon. Ai shtoi gjithashtu se, me propozim të ministrit të Mbrojtjes, kishte rënë dakord për reduktimin e pranisë ushtarake të Rusisë në Siri, por e bëri të qartë se Moska do të vazhdonte të luftonte ndaj “terrorizmit ndërkombëtar” dhe se do të “mbështeste qeverinë siriane”.
Diskutime rreth kësaj post