Nga Mira Kazhani
Ne mendojmë për jetën, sa herë prej saj ndahet një i ri. Fytyrën e bukur të Adelajdës e kujtoj të shtunën e “Big Brother”. Ishte shume e bukur edhe më pas historia e saj me puthjen, që e mendoi aq gjatë, se kish frikë nga qyteti i saj fanatik. Kish frikën e vajzës për mamin dhe kështu e shtyu aq shumë atë puthje, tamam sikur do jetonte 100 vjet. Edhe ne që ndiqnim Adelajdën, flisnim për të sikur do jetojmë 100 vjet, sikur do fejohemi 100 vjet, sikur do martohemi 100 vjet me princin dhe princeshat, sikur frika e gabimit do na mbajë peng 100 vjet, sikur opinioni i tjetrit do jetojë 100 vjet, sikur ta kishim një jetë për botën dhe një tjetër për veten tonë.
Lajmi i Adelajdës na ka lënë të gjithëve të ngrirë e pa fjalë. Isha në timon, duke u kthyer nga deti i Durrësit, me disa miq, dhe rrugës, të përlotur, hapëm xhamat, lamë diellin dhe ajrin e autostradës të futej brenda. I lamë në mes bisedat për ëndrrat e parealizuara, për puthjet e padhëna, çdo analizë dhe mërzi, sepse vdekja e një 31-vjeçareje, në apartamentin e saj, sidomos vetëm, pa një përqafim, pa një princ a qoftë dhe një burrë të zakonshëm, që mund ta merrte në krahë për te ambulanca a fundja t’i përkëdhelte flokët, ishte një fotografi që vlen sa 100 jetë të jetuara.
Jeta kështu është! Javës tjetër do harrojmë që engjëlli i vdekjes na merr pa orë, datë, arsye. Aty jemi të gjithë të barabartë. Në emër të Adelës, sot bëni diçka të mirë për veten tuaj. Përgjigjiuni thirrjeve të trupit dhe zemrës. Shihni film me pica dhe “Coca Cola, divorcohuni, martohuni dhe atë komentin e hidhur në Facebook mos e fshini. Qeshini në sy! Shefit nesër përgjigjiuni me mirësjellje, edhe nëse është i çmendur. E kanë thënë të gjithë, filozofë, shkrimtarë e poetë, por pse dreqin e harrojmë që çdo ditë që zgjohemi, me re, vesë, ngricë, grip, temperaturë, sms nga banka për kredinë, Whatsapp bosh pa sms-në e tij, dhe mesazhin tënd plot përplot me dashuri të mbetur “seen”, është prapë një shans për të qenë zot i gjërave të vogla. Jeta është e mrekullueshme edhe kur ta shpif me mungesat e saj, hilerat, intrigat, vetminë.
S’e di pse sot më kujtohet Adela e bukur, me flokët e zinj e buzët e tulta, që e shtynte atë puthje nga e shtuna në të shtunë. Nuk i japim llogari askujt për puthjet tona.
Diskutime rreth kësaj post