Hapësira ajrore përreth malit Etna është hapur sërish dhe aeroporti i Katanias, në ishullin e Sicilisë, është funksional.
24 orë më parë fluturimet u pezulluan për shkak të shpërthimit të vullkanit, që lëshoi një shi hiri, që tashmë është zhdukur.
Hiri i dendur ditën e hënë bëri që si avionët në ardhje edhe ata në nisje të bllokoheshin. Disa prej tyre u detyruan të devijonin kursin për në aeroportet e Palermos, Trapanit dhe Komisos.
Ndërsa të martën, avioni i parë u nis në 6 e 24 minuta, me orën lokale, me destinacion Pragën, ndërsa i pari që u ul në pistë ishte një fluturim nga Malta në 7 e 20 minuta.
Edhe pse pezullimi i së hënës ishte planifikuar të zgjaste deri në orën 13, ai u shty deri në orën 20 dhe pastaj deri në 6 të mëngjesit të së martës, në kulmin e sezonit turistik.
Mbyllja e aeroportit shkaktoi kaos mes udhëtarëve, që korrikun e kaluar përjetuan mbylljen me tre javë të tij pasi një zjarr i madh përfshiu godinën e terminalit kryesor.
Sidoqoftë, rihapja e tij përkon me ditën e 15 gushtit, e njohur në Itali si “Ferragosto”, kur ishulli i Sicilisë kthehet në destinacionin e preferuar të italianëve dhe të huajve.
Mali Etna shpërtheu ditën e diel, duke e kthyer llavën në një shatërvan dhe duke prodhuar një shi hiri të zi që u shpërnda më vonë nga erërat.
Diskutime rreth kësaj post