Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzoi të hënën, Kryeministrin Edi Rama si ideatorin e betonizimit të parkut të liqenit artificial në Tiranë.
Përmes një deklarate për shtyp, Basha u shpreh se “betonizuesi i Tiranës në 11 vite, sot del haptasi si ideatori i betonizimit të parkut”.
Më herët, Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka deklaroi se “Partia Demokratike do të mbështesë protestën e shoqërisë civile për ndalimin e punimeve për ndërtimin e Parkut të Lojërave te Liqeni Artificial”.
Paloka i shoqëruar nga disa deputetë të kësaj force politike, u shpreh se PD është në mbështetje të çdo akti të qytetarëve dhe shoqërisë civile që mbron interesat e qytetarëve, ndërsa bëri të ditur se do të dalin para drejtësisë të gjithë ata që po ushtrojnë dhunë ndaj shoqërisë civile.
“Kryeministri i pari, kreu i Bashkisë i dyti, duhet të ishin para Prokurorisë për këtë shkelje të rëndë. Por sot askush nuk përgjigjet për shkeljen e ligjit”, tha Paloka. Qytetarët, sipas Palokës, kërkojnë të drejtat e tyre, dhe askush nuk mund t’i ndalojë për këtë. Policia sot, vijoi ai, është aty jo në mbrojtje të ligjit, por në mbrojtje të krimit.
Diskutime rreth kësaj post