Nga Ilir Sinanaj
Media në Shqipëri. A ka gazetarë? Jashtëzakonisht shumë pak! Pjesën më të madhe nuk e cilëson dot si gazetarë, por më saktë si punëtorë-fason të medias. Kryesisht punëtorët-fason të medias “ngarkohen” me “fjalët pa bukë” të politikanëve, që lëvrijnë kryesisht në zonën e bulevardit kryesor të kryeqytetit Tiranë dhe i “transportojnë” nëpër redaksi. Madje pjesa dërrmuese e atyre që quhen lajme në Shqipëri janë një riprodhim, i atyre çfarë thonë politikanët. Punëtorët-fason të medias, me mikrofon, regjistrues apo shënime, i mbledhin “me përkushtim” çfarë “vjellin” nga goja politikanët tanë dhe “me lumturi”, i sjellin në redaksi, të gëzuar se kanë “zbuluar” batutën e radhës. Punëtorët-fason të medias nuk kanë aftësi analitike apo kureshtje, prandaj botuesve u duhet t’i urdhërojnë në çdo sekondë se çfarë duhet të bëjnë dhe çfarë lajmi duhet të marrin. Nga ana tjetër ndodh një fenomen interesant; punëtorët-fason të medias mendojnë se janë ata që garantojnë transparencën apo se po sjellin mendimin e progresit, duke mbledhur fjalë politikanësh, si të varfrit kanoçe nëpër kazanët e plehrave (apo mbetjeve). Por ka një ndryshim: nëse të varfrit e bëjnë nga vështirësitë e ekonomike, punëtorët-fason të medias e bëjnë nga dëshira. Kjo sepse këta punëtorë-fason të medias, nëpërmjet “tesërës” së gazetarit marrin me përparësi shërbime administrative si certifikata, vërtetime, pak shërbim shëndetësor më të mirë, ndonjë vërtetim kolaudimi, ndonjë patentë dhe krekosen përpara ndonjë oficeri të rendit etj. Është patetike, por e vërtetë. Botuesit duhet të marrin masa serioze ndaj këtyre punëtorëve-fason që “abuzojnë” me “teserat” e tribunave të tyre. Gjithashtu, punëtorët-fason të mediave e kanë ëndërr të “keqtrajtohen” në atë mënyrë sa të përfitojnë azil në ndonjë vend perëndimor. Pra kjo është një panoramë e realitetit mediatik të Shqipërisë ku gazetarët të tipit punëtorë-fason të medias, rropaten për të siguruar ekzistencën, në këtë rend “feudal”, jo për faj të botuesve të mediave, por për fajin e tyre. Por publiku vuan pasojën, sepse i përdhoset marrja e informacionit. Nga ana tjetër ka edhe gazetarë të ndershëm që përpiqen me guxim dhe vendosshmëri që të raportojnë lajme që prekin përditshmërinë e shqiptarëve dhe që kanë përmbajte informative që realisht u nevojiten qytetarëve; pra jo batuta “klounësh” nga parlamenti.
Ekzistenca kandërrike e punëtorëve-fason të medias është zgjedhja e tyre. Ndërkaq veprimtaria e tyre është e dëmshme për gazetarët e ndershëm, pasi këta të parët prishin tregun, duke mos prodhuar vlerë informative dhe duke pranuar të keqtrajtohen për një vend pune. Është faji i tyre, që media po dështon, jo i teknologjisë. Por në një të ardhme jo shumë të largët, duke qenë se punëtorët-fason të medias nuk sjellin risi, konkurrenca kapitaliste do t’i zhbëjë.
Ndërkohë, punëtorët-fason të medias bëhen realisht të dëmshëm, kur marrin përsipër të përfaqësojnë kauzën e transparencës dhe të progresit. Këta! Që “lagen nën vete” nga kënaqësia kur ka Parlament; që jargaviten përpara deklaratave të politikanëve me 8 klasë shkollë; që punojnë në media sa për të mbushur normën e caktuar nga botuesi; që nuk kuptojnë se çfarë kanë raportuar; që nuk kanë vullnet të lirë; që “shkrihen” nga kënaqësia për të qenë “vegla” të politikanëve shpellarë, për pak përfitim financiar! Këta qenie të rëndomta, vetëm duke folur për të drejta dhe progres, kanë bërë dëmin më të madh për këto kauza. Është detyra e gazetarëve të ndershëm dhe njerëzve me ide, që t’i nxjerrin jashtë lojë këtë “epidemi”, që ndalon progresin.
Këtu shumë punonjës në media mund të gjejnë vetën e tyre. “Kujt t’i djegë le ta mbajë”, citoj proverbin popullor. Më duket më se e drejtë.
Disa sqarime për disa gazetarë pa shumë përvojë
Ka gazetarë të ndershëm, të cilët janë e kundërta e saj që u tha më lartë. Por fatkeqësisht ka disa me koncepte të keqmësuara, pasi aq e kanë kapacitetin e përthithjes.
Gazetar apo partiak
Të jesh gazetar, nuk do të thotë të mos vlerësosh një mendim progresiv apo një ide të re përparimtare, të cilësdo force politike. Të vlerësosh, një mendim progresiv apo një ide të re përparimtare, të cilësdo force politike, nuk të bën detyrimisht anëtar apo aktivist, të forcës në fjalë. Fatkeqësisht, keqarsimi dhe provincializmi klanoro-ballkanik, bën që shumë artikullshkrues në media të ndryshme në Shqipëria, të të vëndosin “tesër zelli partiak” se vlerëson një mendim progresiv të shfaqur nga një forcë e caktuar. Në rastin e një artikulli të botuar në gazetën “Shqiptarja.com” me titull: “Blushi tradhton transparencën regjistrohet si kryetar partie”, për hir të transparencës dhe respektit që kam për shumë profesionistë në këtë media, bëra një koment për të shpjeguar manipulimin, që ishte bërë publikut nëpërmjet kësaj media simpatike.
Gazetari apo pronari
Nëpërmjet artikullit të botuar në gazetën “Shqiptarja.com” me titull: “Blushi tradhton transparencën regjistrohet si kryetar partie”, që në përmbajtje, jo vetëm nuk flitet për tradhti, por artikullshkruesi bie në kundërshtim me veten, për sa i përket mënyrës se si janë zhvilluar zgjedhjet, për kryetarin në fjalë. Artikulli ka edhe mungesë të theksuar faktesh. Pra, qartësisht, me këtë artikull është manipuluar opinioni publik në lidhje me organizatën “LIBRA”. Kështu, gazeta “Shqiptarja.com” ka dashur me çdo mënyrë të sulmojë “LIBRA”-n, duke shpifur! Kjo është një çështje shqetësuese madhore, pasi këtu, duke qenë se sulmi është i drejtpërdrejtë dhe i pafaktuar, luhen politika që nuk i percepton dot mendja e rrogëtarit. Dhe kur ka çështje madhore në gazetën “Shqiptarja.com”, vihet në vëmendje emri i Carlo Bollino-s. Ai është “Alfa dhe Omega” i gazetës “Shqiptarja.com”. Por ndërkaq, kujtojmë se detyra e një gazetari nuk është as të manipulojë, as të fajësojë pa fakte por është shumë e thjeshtë: Raporto faktet! Nuk ka shkencë të madhe, nuk po zbulojmë “Amerikën” këtu!
Gazetari i mirë e gjen lajmin
Nëse një gazetar nuk arrin dot të marrë një lajm, atëherë gazetari në fjalë ka dështuar për median ku punon. Kur një gazetar është i paaftë të krijojë një komunikim qytetar me një organizatë, për t’u informuar mbi veprimtarinë e saj, këtu fajin e ka gazetari. Nga ana tjetër, paaftësia e një gazetari apo grup gazetarësh për t’u informuar mbi një organizatë, nuk tregon mungesë transparence të organizatës në fjalë. Ajo thjesht tregon paaftësinë e gazetarit apo grupit të gazetarëve, të cilëve media ku punojnë u ka dhënë detyrën të informohen mbi organizatën në fjalë. Gazetarët diletantë ankohen si “dhelpra me rrush” kur nuk e marrin dot lajmin. Edhe japin lloj-lloj justifikimesh kandërrike.
Lajmërimet e gazetarëve për veprimtari
Një organizatë e vendos vetë nëse lajmëron apo jo mediat, për veprimtaritë që zhvillon. Të mos lajmërosh mediat tradicionale në Shqipëri, nuk do të thotë se nuk je transparent. Nga ana tjetër edhe gazetarët e shumë mediave tradicionale janë të pavëmendshëm ndaj lajmërimeve të ndryshme. Pastaj shumë organizata nuk ua japin gazetarëve dosido lajmet e tyre. Kjo dihet dhe ndodh në të gjithë botën.
Çfarë mund të raportohet për LIBRA
LIBRA është një forcë e re. Një nga kauzat e saj është minimumi jetik. Kjo është një temë jashtëzakonisht interesante dhe e palëvruar për të bërë artikuj me vlerë për publikun. Por duhet përgatitje dhe duhet lexuar literaturë. Por pse kjo forcë politike ka zgjedhur këtë për kauzë?
Nga ana tjetër nga LIBRA është propozuar një Pakt i Madh Evropian. Por çfarë do të thotë kjo?
Në LIBRA është bërë e ditur se nuk pranohen politikanë të inkriminuar dhe oligarkë. Po pse ka dalë kaq hapur LIBRA kundër të tyre?
Dhe pyetja më e bukur për gazetarët tanë: Cili është burimi i pasurisë mbrapa LIBRA-s, që ka bërë që kjo organizatë të ngrihet kundra sistemit politik aktual?
Për këto çështje ka interes publik, por a ka kapaciteti analitik media tradicionale për t’i trajtuar?
Diskutime rreth kësaj post