Rreth tre vjet më parë, pasi adoptuan Strategjinë për Europën Juglindore 2020, vendet e rajonit kanë shënuar rezultate që janë të ndryshme dhe përpjekjet nga qeveritë, të prekshme. Kjo strategji është adoptuar edhe nga Shqipëria, së bashku me Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, Kroacinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë.
Por, a do të mjaftojnë ato për të bindur qytetarët pesimistë dhe skeptikë? Sanjin Arifagic, koordinator i “SEE 2020 Strategy” thotë se vendet pjesëmarrëse në këtë strategji kanë arritur të përmbushin objektivin e vendosur për bilancin tregtar me Bashkimin Europian. Për rajonin, BE-ja është partneri kryesor. Sipas të dhënave, deficiti tregtar nga 15.7% e PBB-së në 2010-n ka arritur në 10.8%.
Progres është bërë edhe për tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte dhe trajnimin e forcave të punës.
Sipas Arifagic, progres i moderuar është bërë në rritjen e produktivitetit, përmirësimin e qeverisjes. Rreth 37% në rritje është progresi i bërë në këto dy targete për të arritur objektivin e vendosur për vitin 2020.
Koordinatori i këtij programi thotë se vendet e rajonit, ku përfshihet edhe Shqipëria, kanë bërë progres minimal për të arritur objektivat kryesorë, si zgjerimi drejt tregjeve të BE-së dhe punësimi.
Analistët vlerësojnë se perspektiva e rritjes ekonomike me 2.9% për rajonin deri në 2020 vlerësohet si një normë e shëndetshme, por rritja e PBB-së mesatare për frymë me rreth 44% mbetet ende e paqartë.
Nga ana tjetër, edhe pse kërkesa e jashtme për mallra po rigjallërohet, vendet e rajonit do të duhet të shënojnë rritje mesatare prej rreth 11.5% për të arritur objektivin e 209.5 miliardë euro. Kjo do të jetë e vështirë realiste sipas skenarëve të rritjes ekzistuese.
Vendet e rajonit kanë bërë shumë pak progres sa i përket arritjes së objektivave për rritjen e punësimit.
Edhe pse trendi negativ i rënies së punësimit është ndalur përgjatë dy viteve të fundit, vendet e reja të punës të hapura nuk kanë arritur dot të mbulojnë deficitin e krijuar në periudhën 2010 – 2013. Për të arritur objektivin 44.4% për vitin 2020 për grupmoshën mbi 15 vjeç ekonomitë e rajonit do të duhet arrijnë shifrën 150-170 mijë vende pune në vit gjatë pesë viteve të ardhshme. Në bazë të skenarëve aktualë të rritjes dhe mungesës së investimeve të mëdha, kjo duket e pamundur.
Diskutime rreth kësaj post