Raporti i publikuar nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) mbi punën e Kuvendit të Shqipërisë për periudhën janar-korrik 2018, tregon se ky institucion nuk përmbush detyrën e tij.
ISP i konsideron shokuese gjetjet për cilësinë e debatit dhe produktin e tyre në raport me pritshmërinë publike e institucionale sepse deputetët nuk përqëndrohen te prioritetet e qytetarëve, por merren kryesisht me ngjarje të ditës dhe akuza personale.
Bazuar në këtë gjetje rezulton se tema dominuese e fjalimeve parlamentare nuk ka qenë axhenda dhe procesi legjislativ, por tematika politike e ngjarjeve të ditës ose të javës. Ato morën 399 fjalime gjatë 8 muajve. Kjo do të thotë se në tërësi partitë parlamentare nuk kanë axhendë pune prioritare, por presin ngjarjet që të shkojnë pas tyre, pra nuk e kërkojnë politikën tek pasojat e politikës dhe jo tek udhëheqja e saj.
Fokusimi tek ngjarjet ditore dhe javore politike ka vlerë kryesisht kur kemi të bëjmë me zbulim skandalesh të mëdha, me ngjarje me rëndësi kombëtare, me emergjenca shtetërore apo politike, etj. Në rastin e parlamentit shqiptar, përveç skandalit që lidhej me përfshirjen e vëllait të Ministrit të Brendshëm në një proces hetimi e gjykimi në Itali, apo pasojave të dosjes së vitit të kaluar lidhur me ish Ministrin e Brendshëm, në tërësi nuk ka pasur ngjarje ditore aq të papritura dhe aq të rëndësishme sa të ndryshojnë tërësisht rrjedhën politike të punës së Kuvendit dhe të ligjërimit politik brenda tij.
Tematika e dytë më dominuese në Parlament me 391 fjalime/raste debati gjatë 8 muajve të fundit, janë akuzat reciproke politike, fyerjet dhe fjalori etiketues ndaj palës tjetër politike.
Tematika e tretë më e fokusuar në Parlament gjatë tetë muajve të fundit ka qenë gjendja e kriminalitetit në vend dhe siguria publike. Në dukje tema të mëdha, në fakt kryesisht debati është fokusuar në emrat e përvetshëm të ministrit të Brendshëm dhe të paraardhësit të tij në qeverinë e majtë.
Çështjet ekonomike, që duhet të ishin prioritet i deputetëve, ndodhen në vendin e katërt, ndërsa situata përkeqësohet sa i përket çështjeve të varfërisë, korrupsionit, arsimit, turizmit dhe rinisë, për të cilat diskutimet janë të papërfillshme në Kuvend.
Diskutime rreth kësaj post