Gazetari Genc Burimi doli sot kundër deklaratave të Alfred Pezës, i cili tha se qeveria nuk ka pas dijeni për arrestimet e SPAK. Burimi tha se SPAK është në lidhje të drejtpërdrejt me pushtetin qendror dhe kjo gjë përbën një skandal në një demokraci reale.
“Mendoj që është serioze por duhet që shqiptarëve t’u jepen çelësat e mirëkuptimit të asaj që po ndodh që të mos jenë naivë. Ju patët zotin Peza sot i cili e mohoi kategorikisht që PS të ketë qenë në dijeni të hetimeve të SPAK. Është çështje thelbësore, aq shumë thelbësore sa edhe në perëndim është pika bazë e skandaleve politike. Sot nga politikanët më i akuzuar në Francë është Sarkozy dhe ai ka akuzuar partinë në pushtet që ka qenë në dijeni të përgjimeve.
Sot mësojmë nga avokatja e znj. Voda se SPAK e kishte vënë në përgjim në mars 2020, para shkatërrimit të TK. Në korrik 2020 hiqet nga posti i saj i zv.ministres. Mendoni që ka shqiptarë naivë sot që mos ta bëjnë lidhjen që qeveria Rama ishte në dijeni që Voda ishte në përgjim, që ishte në dijeni çfarë kishte bërë ajo? Sot ata që survejojnë, krahu i armatosur i SPAK që survejojnë personat në përgjim është policia e shtetit, eprori i policisë Rama. Sot qeveria dhe znj. Yuri Kim thonë që drejtësia nuk njeh asnjë kategori sociale, por sot a mund ta imagjinojmë që SPAK përgjon Ramën, pa e marrë vesh që është në përgjim?
Kur këta e kanë vënë në përgjim në mars 2020, rezulton se këto gjëra u lanë për tani jo para zgjedhjeve të 25 prillit. Po të ishin shqiptarët në dijeni se kjo qeveri e z. Rama ka bërë një tmerr me tenderin, ajo ministri që supozohet të mbrojë shqiptarët, por i vjedh shqiptarët, a imagjinoni që nëse do kishin dalë para zgjedhjeve, Rama do kishte fituar zgjedhjet? SPAK sot është në lidhje të drejtpërdrejt me pushtetin qendror gjë që përbën një skandal në një demokraci reale”, tha Burimi.
Analisti kërkoi në emër të opinionit publik t’i bëhet një check up total i gjithë tenderave që janë dhënë. “Kur vetë kryeministri pranon sot që 70% e prokurimeve janë me probleme, imagjinoni ça është bërë në këtë vend për 8 vjet. Duhen komisione hetimore për të gjitha koncesionet, opozita të kërkojë në parlamentin e ri. Ka një problem moral të padiskutueshëm, kjo është gjë e mirë që po ndërmerret, por pse kaq vonë?”, pyeti ai.
Por a mund të shërbejnë këto vendime për një përmirësim të këtyre punëve në administratën publike? Analisti Burimi mendon që jo.
“Nuk e besoj sepse në bazë ekziston sigurisht pagimi i keq që i bëhet nëpunësve civilë. Funksionari, nëpunësi shqiptar paguhet keq, është i korruptueshëm. E shikoni sot kur tallet Rama me mjekët. Nëse njerëzit paguhen siç duhet nuk ka pse të jesh vend kaq i korruptuar si Shqipëria. Nuk besoj që represioni zgjidh gjithçka. Nuk është zgjidhja. Zgjidhja duhet të jetë ekonomike, reformat. Duhet ekonomia të prodhojë më shumë. Më vjen keq sot që hiperbolizohet roli i SPAK-ut. Më vjen keq që Rama i shpëtoi një gjykimi popullor”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post