Pse sot jam kritik i ashpër me Ramën
Nga Dritan Hila
Kohët e fundit, sa herë që jam kritik ndaj qeverisë Rama, hapen zëra se kjo vjen për shkak të parave që marr nga Ilir Meta apo Berisha. Nuk kam ndërmend të merrem me ta. Por më duhet të flas për kë besoi si unë, që ashtu si unë, tani janë në udhëkryq, të zhgënjyer nga profetët e rremë.
E di se kjo që them do të më hedhë përsipër urrejtjen e pushtetit, ashtu siç e provova në kohën e Berishës; e di se kjo mund ti sjellë pasoja rrethit tim të afërt, ashtu siç e di që makineria e baltës që Rama ka nën urdhërat e tij do të punojë kundër meje me kapacitet të plotë, siç ka filluar të punojë. Pasi Edi Rama i ka të gjitha veset e Sali Berishës, përveçse nuk është vrasës si ai. Të paktën jo deri tani. Por nuk mund të rri pa thënë se mbreti është lakuriq; nuk duhet t’ia lejoj vetes të jem kaq i trembur nga Edi Rama, sa t’i kërkoj Donald Lu-së të më thotë emrat e të korruptuarve.
Asnjëherë nuk kam besuar në shenjtërinë e Edi Ramës apo papërlyeshmërinë e tij, por kam menduar se ka një çast, ka një moment, si ai i qënies në krye të vendit, kur njeriu i largohet lojrave të vogla. Prejardhja e tij familjare më bënte të besoja se më së fundi dikush do të mendonte si evropian dhe mos kishte babëznë e një të gjeturi në rrugë. Ky besim më bëri të pranoja edhe postin e zëvendës ministrit, duke menduar se i shtoja një vlerë qeverisjes, dhe të largohesha prej andej, për arsye parimore. Nuk kam pse përgojoj periudhën kur kam qenë pjesë e ekipit të Kodhelit, por kur kam ikur, nuk i kam premtuar besnikëri askujt, përveçse parimeve të së majtës, duke e konsideruar veten aset të saj. Me të majtë nuk kuptoj rreshtimin në arradhet e Edi Ramës, por në vazhdimësinë e trashëgimisë më të mirë, ku janë mpleksur Bernshtejni, Marksi, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Fan Noli, të majtës moderne; me ardhjen në pushtet të së majtës nuk nënkuptoj që çfarë la Taçi pa plaçkitur, t’i nxjerr fundin Kokëdhima, por një të majtë që u jep mundësi pune të gjithëve, por dhe kujt nuk ka mundësi, i gjendet pranë në ditë të keqe dhe nuk e terrorizon me gjoba, burgosje dhe prerje dritash.
Asgjë personale nuk kam në qëndrimin ndaj Edi Ramës. Është investim i tij, qenia ime anëtar i Asamblesë së PS-së, dhe më vonë si zëvendësministër. Ishte bindja ime të pranoja ofertat e tij si anëtar i asamblesë, në çastet kur PS-ja sapo kishte humbur Tiranën, dhe si zëvendësministër duke ofruar emrin tim, e vetmja pasuri që kam. Mosha, formimi, e ardhmja e vendit, më detyrojnë sot që të flas për diçka që të gjithë e shohin, por pakkush e thotë: korrupsionin me emra.
Korrupsioni i kësaj qeverie ka arritur përmasa të frikshme. Mediokriteti dhe paaftësia janë tashmë aq evidente, sa vetëm të tremburit që e shikojnë nga bregu i lumit, varkën që po i afrohet kataraktit, mund të mos e thonë. Në kushtet kur kam vendosur të qëndroj në këtë vend, nuk mund t’i lejoj vetes të mbyll sytë para realitetit. Partia e cila i kishte në programin e saj luftën kundër koncesioneve, sot po e jep pasurinë e vendit nëpër koncesione, në rrugë jo transparente. Është kriminale të japësh koncesione në shërbime për të cilën paguan paralelisht administratën publike, duke dëshmuar paaftësinë si administrator publik dhe papërgjegjshmëri ndaj parasë publike. Dhe kur shëndetin ia beson një tregtareje duhani dhe dializën një gomisterie, atëhere nuk ka vetëm paaftësi, por korrupsion, dhe kryeministri është përgjegjës dhe bashkëpunëtor. Kësaj i them: mbreti është lakuriq.
Të lesh në harresë koncesionet dhe konsorciumet që janë bërë dhe planifikohen të bëhen nga Rama dhe kaporionët e tij, ku do të përvetësohen miliona euro dhe do ta kthejnë demokracinë shqiptare në një farsë, dhe të merresh me një akuzë këtu e pesë vjet përpara për Ilir Metën, atëhere është shërbimi më i mirë që i bëhet korrupsionit të Edi Ramës dhe shërbimi më i keq që i bëhet vendit duke përdorur një kauzë tashmë të leckosur për tërbimin e publikut. Pasi arritja më e madhe e djallit, ishte pikërisht që të bënte njerëzit të flisnin për gjithçka, por jo për të. Të akuzosh kritikët e qeverisë si berishistë, pasi këtë kritikë e bën edhe Berisha, është argumenti më i pandershëm por edhe simptomë që e majta është në agoni si në 2005-ën. Pasi nëse ka njeri që bashkëpunon me Berishën, nuk janë kritikët e Ramës, por ai vetë, duke filluar që nga rrahja e shpatullave në Gërdec dhe deri tek firma e dhënë Delijorgjit për ndërtime pallatesh, ndërmjet mbi 3 mijë kërkesave për leje, të refuzuara. Firmë që me siguri nëse Berisha do të ishte në pushtet, nuk do të kishte guximin ta jepte.
Të kritikosh sot Ramën, nuk ke pse paguhesh nga Ilir Meta apo Berisha. Të kritikosh sot Ramën, nuk do të thotë se sjell Berishën në pushtet, pasi në momentin që flitet për vjedhje, pak rëndësi ka nëse është në fron Berisha apo Rama: në fron është banda. Të kritikosh, do të thotë t’i tregosh Ramës se nuk të bën dot për budalla. Të përmendësh aktet korruptive sot, është një paralajmërim për ata që i bëjnë, qofshin ideatorë apo bedelë, se gjithçka shënohet dhe nuk harrohet. Është një paralajmërim se njerëzit shpesh herë janë të pa zë, por jo përgjithmonë. Se ka edhe njerëz që çmojnë më shumë të vërtetën. Pasi e vërteta i çon drejt lirisë. E kanë thënë dy mijë vjet përpara, në Bibël.
Diskutime rreth kësaj post