Nga Flogert Muça*
“Më jepni mua një pikë mbështetje dhe unë do te ngre Botën!”.
Kështu shprehej shkencëtari Arkimed, në vitet 250 p.e.s, shprehje e cila metaforikisht zë vend edhe në politikë, në çdo kohë. Sepse çdo lideri a partie i duhet një pikë mbështetje për të ngritur masën, për ta bërë shoqërinë të besojë e shpresojë se ai (lideri) dhe ajo (partia) mund ta bëjë jetën e tij më të mirë.
E ndërkohë që Shqipëria është 5 muaj para zgjedhjeve të 18 qershorit, partitë politike dhe lidershipi i tyre ka filluar të kërkojë për levat që do “ngrenë b(v)otën” në 18 qershor nga partia e tyre.
Por, me protestën e thirrur në 18 shkurt, Partia Demokratike dhe kryetari i PD-së Lulzim Basha po tregojnë se akoma nuk e kanë gjetur “levën” së cilës duhet ti mëshojnë këto 5 muaj. Të mbërthyer nga ankthi dhe të përqëndruar te akuzat dhe jo zgjidhjet konkrete, PD duket sikur ka humbur totalisht busullën e orientimit. Faktorët e brendshëm po e pengojnë më shumë se ato të jashtmit. Problemet në bazën e partisë ku emërimet e kryetarëve nëpër rrethe që nuk po shkojnë mirë, mungesa e alternativës reale, mbajtja peng e partisë nga ana e Berishës janë disa faktorë që e bëjnë sot PD-në një parti të dobët që nuk po gjen akoma veten, duke e bërë eventualisht të paaftë për të ofruar alternativë për shqiptarët.
Por përtej këtyre problemeve që e zvogëlojnë mundësinë për gjetjen e një pike mbështetjeje, PD dhe Basha kanë një problem që ka të bëjë me të shkuarën e partisë dhe kryetarit të saj.
Duke i hedhur një vështrim të shpejtë të shkuarës dhe të tashmes, në PD gjen shumë pak rifreskime ekipi. Doktori është aty, si dirigjent i paepur, si kryetari i paepur publik të paktën të enjteve. Jo vetëm doktori, por edhe eksponentët kryesorë të saj sot janë ata që dje ishin ministra që konsumuan pushtet dhe besim të dhënë nga shqiptarët. E konsumuan deri në pikën që shqiptarët në 23 qershor 2013 i hoqën nga karriget ku ishin ulur, duke dëshmuar se PD nuk kishte më pikë ku të mbështetej për të ngritur botën.
I vetmi që do duhej të ishte pika e mbështetjes për opozitën është kryetari i saj, Basha. Por që për fatin e keq të PD-së edhe e shkuara e tij politike ka disa të çara që jo vetëm që nuk mbjellin shpresë, por veçsa e bëjnë PD-në edhe më të pafuqishme.
Cila është e shkuara politike e Bashës dhe pse PD sot nuk gjen dot një pikë në imazhin e tij politik ku të mbështetet ?
Basha ka qenë 3 herë ministër dhe 1 herë kryetar i bashkisë Tiranë, bashkia që ka fuqinë e një “kryeministri” të dytë nëse do ta thonim në mënyrë figurative. Fati politik që Basha ka zgjedhur që në 2005 kur erdhi në Shqipëri, ishte i njehsuar me Berishën e rrjedhimisht edhe me bëmat e tij.
Kështu Basha si ministër i Jashtëm, i fali detin Greqisë, duke u etiketuar nga opinioni publik si tradhëtar. Kushtetuesja e rrëzoi këtë akt të Bashës, por ai e kishte bërë të tijën gjithësesi.
Si ministër transportesh nuk është hetuar akoma për vjedhjen e 240 milionë dollarëve.Siç dihet, çështja në atë kohë u mbyll me argumentin se Basha ka qënë sëmurë dhe nuk është paraqitur në prokurori. Madje ai ka çuar edhe raporte mjekësore për t’iu shmangur hetimit. Sidoqoftë, njolla morale dhe pse akoma jo ligjore është mbi supet e tij.
Si ministër i Brendshëm, Basha mbaj një barrë që përveç Berishës nuk e mban asnjë politikan tjetër shqiptar. është barra e vrasjes së qytetarëve të pafajshëm në mes të bulevardit, në 21 janar të 2011-tës. Basha doli bashkë me Berishën duke thënë se viktimat u vranë nga afër dhe jo nga garda e republikës. Kur doli videoja që vërtetoi të kundërtën Basha nuk u dorëhoq, por mbrojti fort tezat e Berishës duke u bërë bashkëautor në vrasje.
Ndërsa sa i përkët punës së tij në krye të bashkisë së Tiranës nuk mund të thuhet asgjë. Siç asgjë ishte dhe puna e tij në qytet.
Sa më lart, Basha është një lider me një imazh politik të thërrmuar, ku nuk gjen dot asnjë copëz për të formuar një pikë mbështetje dhe për t’ja dhënë shqiptarëve si alternativë. Ekipi poashtu është ai që bashkë me Berishën e Bashën konsumuar dhe mbrojtën aktet që përmenda më lart.
Në 18 shkurt Basha do të dalë me një grusht militantësh në protestë, ndoshta edhe nuk do i çirret zëri, por që kjo nuk do ja arnojë imazhin e thërrmuar nga aktet e tij si pushtetar.
Basha nuk ka as pikë mbështetjeje, as levë. Basha ka një ishull të vogël siç është katandisur PD e cila do fillojë të krijojë pika mbështetjeje vetëm kur Berisha, Basha &co të largohen nga aty dhe t’jua lënë vendin të rinjve, atyre të cilëve akoma nuk janë infektuar nga sëmundja e tyre. /Lexo.al
Diskutime rreth kësaj post