Nga Durim Madhi
Një përgjim i një bande trafikimi ndërkombëtar lëndësh narkotike, ku përmendej edhe emri ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, është kthyer në temën e ditës për politikën.
I pari që reagoi ishte Basha i cili duke shfrytëzuar momentin, ka kërkuar arrestimin e Tahirit. Pas tij, ka reaguar kryeministri Rama i cili është shprehur se “DUAM TË VËRTETËN! SA MË PARË!”, duke theksuar se përballë ligjit janë të gjithë të barabartë, cilido është shkelës i tij. LSI do flasë më vonë, por ajo mendon si Basha tanimë!
Ndërsa Tahiri në deklaratën e tij për mediat tha se është drejtësia e cila duhet të flaës dhe jo politika e cila përdor për sulme çdo fjalë të kriminelëve.
Por, pse precedent i sotëm është në fakt rasti që duhet të bëjë PD-në dhe LSI-në të ulë kokën dhe të mos flasë, për t’ia lënë radhën drejtësisë?
Si PD dhe LSI në kohën e tyre kur bashkëqeverisnin vendin kanë ngjarjet e tyre që kanë qenë më të rëndat që kanë ndodhur në pluralizëm. Duke filluar me videon e famshme Meta-Prifti ku ish-kryetari i LSI ulëriste se ishtë montazh e duke vazhduar me Gërdecin për të cilin u bë film edhe në Hollivud me personazh kryesor djalin e Sali Berishës, Shkëlzënin, PD dhe LSI kanë mbi supe skandalet më të rënda.
Por, nuk është kjo diferenca që duhet t’i bëjë ata të ulin kokën. Ajo që zhbën çdo fjalë të tyren ndaj përgjimeve të publikuara sot është mënyra se si kanë reaguar Berisha, Basha dhe Meta kur kanë qenë të përfolur për megaskandale. Arsyeja pse PD dhe LSI sot duhet të heshtin, është fakti se mënyra se si janë sjellë ata ndaj ligjit krahasuar me mënyrën si u soll sot Rama dhe Tahiri, vetëm sa nxjerr më në pah llumin e tyre të vjetër kur bashkëqeverisnin Shqipërinë.
I pari Basha i cili për vjedhjen galopante në Rrugën e Kombit me mbi 230 milionë euro, nuk shkoi në Prokurori duke ja hedhur me një raport mjekësor.
I dyti Ilir Meta i cili pasi u pa në video me bllok në dorë tëksa kërkonte 7%, doli dhe tha që e gjitha ishte një montazh.
I treti Sali Berisha që i vuri flakën Gërdecit për hesap të të birit dhe deklaroi se nuk njihte baxhanakun e tij që humbi jetën gjatë shpërthimit.
E përbashkëta e të tre rasteve të mësipërme është pra fakti që nuk u përballën kurrë me drejtësinë dhe nuk e lanë kurrë atë të bënte punën e saj. Madje, në 21 janarin e tmerrshëm Berisha dhe Basha do të strehonin gardën që qëlloi mbi turmë dhe urdhëronin policinë të mos zbatonin urdhërarrestet e prokurorisë.
Është pikërisht mënyra si ata janë sjellë ndaj drejtësisë dje dhe mënyra si sillet sot Rama, që i nxjerr ata keq. Ata ndoshta sdo donin të dilnin përgjimet që dolën sot, sepse ato përgjime nuk dëmtojnë Ramën, i cili kërkoi vetëm drejtësi për këdo që të jetë përfshirë në atë skandal, por tregojnë edhe njëherë fytyrën e vërtetë të PD-së dhe LSI-së .
Pikërisht për sa thashë më lart, PD dhe LSI kanë bërë çmos që reforma në drejtësi të mos kalojë. Po të mos ishte presioni ndërkombëtar, sot ajo reform nuk do të ishte votuar.
PD dhe LSI sot janë në ditën e tyre më të zezë. Zhvillimet e sotme dhe reagimet e politikës iu kanë kujtuar shqiptarëve edhe njëherë se si vepron njëra palë dhe tjetra kur vjen puna për zbatimin e ligjit. Ndaj sot, opozita duhet të heshtë!
Diskutime rreth kësaj post