Shumica e shqiptarëve largohen jashtë vendit për mundësi më të mira punësimi. Këtë tregon një raport i Ministrisë së Brendshme për migracionin gjatë periudhës 2019-2022.
Sipas këtij raporti, 86% e shqiptarëve që kanë emigruar në vitin 2022 kishin si faktor shtytës punësimin, ndërsa rreth 6% rezulton se janë larguar për bashkim familjar dhe gati 4% për mundësi më të kënaqshme studimi.
Përgjatë vitit 2022 rreth 46 mijë e 500 shqiptarë janë larguar nga vendi, niveli më i lartë që nga viti 2014. Largimet reflektohen edhe në kërkesat në rritje të shqiptarëve për azil.
Në vitin 2022, 25 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil në një nga vendet e BE-së, Britani, Amerikë, Kanada dhe Australi, një rritje kjo me 83% krahasuar me vitin 2021.
Më shumë se gjysma e kërkesave rezulton të jenë bërë në Britaninë e Madhe, pasuar më tej nga vendet e BE-së.
Sa i përket azilit arsyet kryesore lidhen kryesisht me çështjet ekonomike.
Për Ministrinë e Brendshme shqetësues mbetet trendi në rritje i emigrimit të të miturve kryesisht drejt vendeve të BE-së.
Gati 5 600 të mitur shqiptare kanë kërkuar azil në vitin 2022, shumica në Britani dhe Francë. Në krahasim me vitin paraardhës ka një rritje 85%.
Në kushtet kur Shqipëria vazhdon të prodhojë flukse emigrantësh ekonomikë, sipas Ministrisë së Brendshme është e nevojshme që të intensifikohen përpjekjet për mirëqeverisje në vend.
Diskutime rreth kësaj post