Disa nga udhëheqëset më të njohura gra kanë hequr dorë nga detyra. Në Skoci, Nicola Sturegon njoftoi largimin nga detyra e saj si drejtuese e qeverisë së Skocisë, duke vënë në dukje ndikimin e fortë që kishte angazhimi politik në jetën e saj personale.
“Që në çastet e para kur mora këtë detyrë, kam besuar se pjesë e të qeverisurit mirë ishte të dije se kur do të ishte koha e duhur për t’u tërhequr dhe për t’i hapur udhë dikujt tjetër”, tha Nicola Sturgeon, ish kryetare e qeverisë së Skocisë.
Forca e saj politike, Partia Kombëtare Skoceze është përballur me pengesa në përpjekjet për pavarësi të Skocisë. Vitin e shkuar Gjykata e Lartë britanike hodhi poshtë kërkesën e Skocisë për mbajten e një referendumi për shkëputjen nga Britania.
Megjithatë, zonja Sturegon u shpreh me krenari se dëshironte të kalonte më shumë kohë me familjen se saj.
“Do të na ndihmojë të ndërtojmë të ardhmen”… tha ajo.
Në muajin janar, Jacinda Ardern dha dorëheqjen si kryeministre e Zelandës së Re. Edhe pse për shkak të rritjes së inflacionit mbështetja për partinë e saj ka rënë, zonja Ardern tha se arsyeja kryesore e dorëheqjes ishte që t’i përkushtohej rolit të saj si nënë.
“E di se çfarë nevojitet për të qeverisur dhe e di se nuk jam më në gjendje për të udhëhequr si duhet”, u shpreh ajo.
Në muajin nëntor politikania Nency Pelosi njoftoi se po hiqte dorë nga roli i saj si udhëheqëse e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve. Në Afrikë, kryetarja e Gjykatës së Lartë në Etiopi, Court Meaza Ashenafi dha dorëheqjen nga detyra, në muajin janar.
A kemi hyrë në epokën e dorëheqjeve nga gratë udhëheqëse?
“Mendoj se çfarë po kuptojmë nga këto dorëheqje të grave udhëheqëse ështe se mjedisi nuk është miqësor ndaj grave. Mendoj se është e rëndësishme të rishikohen strukturat, sistemet dhe institucionet që historikisht u krijuan dhe përcaktuan nga burrat, por që tani nuk janë më të përshtatshme”, shpjegon Rangita de Silva de Alwis, Instituti Georgetown për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Ndërkohë, studimet nga organizata LeanIn dhe Kompania McKinsey tregojnë se gratë në biznes kërkojnë paga më të mira dhe më shumë lehtësira në punë dhe janë të përgatitura të ndryshojnë punë për t’i siguruar këto kushte. Po ashtu, ato pëlqejnë më shumë që të punojnë nga shtëpia, ndoshta sepse duan të kujdesen për familjen.
“Mendoj se po bëhet përherë e më pranueshme që të udhëheqësh ndërsa kujdesesh për familjen”, thekson zonja de Silva de Alwis.
Po ashtu disa studime tregojnë se sa më pak e butë dhe me shumë vetëbesim të duket një udhëheqëse grua, aq më pak pëlqehet, madje edhe nga grate e tjera. Presidentja malaviane Joyce Banda i tha gazetës britanike “The Guardian” se kritiket e saj më të mëdha ishin grate.
Por jo gjithçka po shkon tatëpjetë për gratë në drejtim. Ekpertët thonë se prirja për punë me kohë të pjesshme në Europë do të ndihmojë gratë, po aq edhe rritjen e kuotave për përfaqësimin e tyre në biznes. Po ashtu, ata thonë se shumë kultura janë më të mësuara me idenë e udhëheqjes nga gratë.
“Në kultura ku udhëheqja e grave është institucionalizuar prej një periudhe të gjatë, si në vendet skandive, mbështetja për gratë në drejtim është e madhe dhe në të vërtetë gjysma e udhëheqësve janë gra”, thotë Alice Evans, eksperte mbi historinë e çështjeve gjinore.
Kur dorëzoi detyrën, ish kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi u shpreh e mrekulluar se sa shumë është shtuar numri i grave anëtare në këtë institucion në krahasim me 35 vjet më parë kur ajo u zgjodh si përfaqësuese./voa
Diskutime rreth kësaj post