Nga Ardit Rada
Zërat e ndërkombëtarëve për miratimin sa më parë të Reformës në Drejtësi kumbuan sërish para ligjvënëse shqiptarë. Ishte zyrtarja e lartë e BE, Federica Mogherini, e cila në sallën e Kuvendit artikuloi edhe njëherë nevojën e menjëhershme për kalimin e ligjit në fjalë si kërkesë e domosdoshme dhe parësore e qytetarëve shqiptarë.
Duhet të jetë e paimagjinueshme për një të huaj të konsiderojë se fjalët e saj po bien në veshë të shurdhër, gjithmonë duke pasur në konsideratë se po flet me autoritetin që i jep posti dhe nevojat e një vendi të papërfillshëm për fatet e Evropës. Në fakt, mesazhet e të huajve nuk është vështirë të deshifrohen, as kur kujdesen që në një nga dhjetë fjali të përmendet patjetër se pavarësisht gjithçkasë, Shqipëria ka bërë hapa para këto vite…
Por si e di Mogherini se qytetarët shqiptarë e kanë parësore nevojën për tundjen nga themeli të sistemit të Drejtësisë? A nuk mund të ishte pak më realiste dhe të thoshte, fjala bie, se qytetarët prioritet kanë punësimin dhe ushqimin? Në fakt, Bashkimi Evropian dhe organet ligj-zbatuese të BE kanë 25 vite që mbajnë mbi supe peshën e mëkatarëve shqiptarë dhe është pikërisht familja evropiane që e ka po aq urgjente sa dhe ne.
E thënë ndryshe, kriminelët që lirohen nga gjykatat shqiptare dhe strehohen në Evropë; azilkërkuesit për shkaqe gjakmarrje sepse ligji toleron Kanunin; kalimi i kufirit me dokumentacion të falsifikuar dhe certifikuar nga drejtësia jonë; pronat që ish-pronarët i çojnë për gjykim në Starsburg pasi ua kanë bërë dosjet lesh arapi gjykatat tona dhe të tjera si këto.
Fatmirësisht, Federica Mogherini nuk është e vetmja që i mëshon kauzës së ndërkombëtarëve në Tiranë të cilët pasi panë se vullneti i politikës ishte i dyshimtë, gërthitën me altoparlant fort se orët në duart e gjyqtarëve janë provë e korrupsionit dhe jo element dyshues. Fatkeqësisht, zyrtarja italiane nuk do të jetë e fundit që s’i përkëdhel deputetët tanë të shurdhër, por që kanë veshë veç për të deshifruar njëri-tjetrin kur shajnë nëpër dhëmbë.
JAVA News
Diskutime rreth kësaj post