Nga Aflred Peza
Vendimi i djeshëm i qeverisë për të shkarkuar 12 prefektët në të gjitha qarqet e Shqipërisë dhe për të emëruar në bllok, 12 të rinjtë, u duk sikur i kapi në befasi edhe protagonistët vetë, median dhe opozitën.
Jo se Kryeministri dhe kabineti i tij, nuk janë në të drejtën kushtetuese dhe politike për ta bërë këtë, por mënyra e reagimit të atyre që u informuan edhe live, ta linte shijen.
Këtë lloj reagimi e kemi parë edhe pas dorëheqjes së shefit të shërbimit sekret Visho Ajazi, edhe brenda përbrenda PS pas largimit të një liste kryetarësh të Partisë Socialiste në të gjitha bashkitë ku ajo humbi në zgjedhjet e 25 qershorit.
E me sa duket, ky lloj reagimi do të na shoqërojë gjithnjë e më shpesh në ditët në vijim, kur priten edhe të tjera vendime dhe emërime të këtij karakteri.
Ndoshta shumë më të forta e drastike sesa këto të fundit dhe në nivele kyce po ashtu, të majës së piramidës shtetërore.
Ky stil vendimarrës i kryeministrit Edi Rama shumë më ekzekutiv, më i vendosur, shumë më i fortë, e më i prerë, duke larguar në masë me një vendim të vetëm një listë njerëzish e drejtuesish institucionesh njëkohësisht (rikujtoj vendimet për 8 drejtorët e burgjeve, për për një aradhë drejtuesish të tjerë institucionesh të rëndësishme të cilëve iu kërkua që në verë të largoheshin) atij i ka munguar ne fakt gjatë mandatit të parë.
Me siguri, që rol për këtë, ka luajtur ekuilibri i brishtë brenda mazhorancës qeverisese, ku LSI në të gjitha nivelet e vendit, zotëronte 25- 35% të pushtetit dhe posteve kyce drejtuese.
Diskutime rreth kësaj post