Duket se negociatat e paralajmëruara mes PD dhe PS – LSI, në prani të dy ndërmjetësve ndërkombëtare, David Mekalister dhe Knut Filkenshtajn nuk kanë sjellë asgjë të re. Edhe pse takimet janë përsëritur dy herë, një herë në selitë e secilës palë dhe një herë në pallatin e Kongreseve të salla të veçanta, duket se palët nuk kanë pasur asnjë pikë të përbashkët.
Dështimi nuk është deklaruar ende, por ai mund të lexohet. Ndërmjetësit kishin deklaruar që do të mbanin një konferencë për shtyp dhe ajo supozohej që do të ishte afër mesnatës, por në mbyllje në negocimit të dytë në pallatin e Kongreseve, ata thjeshtë deklaruan se do të shpërndajnë shpejt një deklaratë shtypi. Deklarata e shtypit padyshim që i mbylle negociatat sepse konferenca e shtypit mund të zhvillohej vetëm nëse do të kishte rezultat. Takimet zgjatën shumë pak dhe sipas informacioneve të opinion.al negociatorët thjeshtë janë informuar për kërkesat e palëve dhe kanë zbuluar që asnjëra prej tyre nuk lëviz nga qëndrimet e deklaruara. Pra PD nuk tërhiqet nga Qeveria Teknike dhe PS refuzon që të pranojë një Qeveri të tillë. Ndërkohë burime të opinion.al sqaruan se PS dhe LSI ishin të gatshme të rishikonin datën e zhvillimit të zgjedhjeve në një limit të moderuar. Si një datë e mundshme shihej 16 Korriku. Ndërkohë ka pasur edhe një seri ofertash të tjera të bëra nga mazhoranca që lidheshin me përmirësimin e standartit të zgjedhjeve dhe garantimin e lirisë së tyre. Po sipas burimeve të Opinion.al, Basha ka rënë dakort për negocimin e këtyre propozimeve, por ka deklaruar se diskutim duhet të nisë pas garantimit të Qeverisë Teknikë.
Ashtu siç deklaruan edhe dje në emisionin Opinion Aldo Bumçi dhe Eduard Shalsi, palët janë fanatike në qëndrimet e tyre. Tani brenda javës priten zhvillime të tjera. Nëse PD përfundimisht duket jashtë zgjedhjeve të 18 Qershorit dhe do t’i qëndrojë idesë së saj se nuk do ketë zgjedhje, LSI duket se do t’i bashkohet PS në zgjedhjet e 18 Qershorit.
David Mekalister dhe Knut Filkenshtajn do të largohen nga Shqipëria nesër rreth orës 07:00 të mëngjesit. Pra nesër nuk ka asnjë shans për negociata të tjera. Opinion.al
Diskutime rreth kësaj post