Nga Andi Bushati
Këmbëngulja e deputetit socialist Ben Blushi për të kërkuar zgjedhje për kryetarin e partisë dhe insistimi i tij për ta bërë publike këtë në çdo rast që i jepet mundësia, do ta vendosë atë përballë dy grupimeve të mëdha me kundërshtarë (lexo lajme Lapsi.al).
Të parët do ta akuzojnë personalisht duke i thënë se ai do ta shfrytëzojë këtë garë për orekset e veta duke e përdorur tribunën e kongresit si një trampolinë për të krijuar diçka të re.
Të dytët, nga pozita me mediokre, do të përsërisëin fjalët e Edi Ramës se është harxhim i kotë energjish dhe një nonsens të votohet në parti, një shef qeverie që ka fituar në mënyrë gati plebishitare dy palë zgjedhje.
Në fakt të dyja këto grupime mund të kenë një lloj të drejte.
Pa dyshim brenda këmbënguljes së Blushit ka ambicie personale. Pa dyshim që ka një mllef për mënyrën se si Rama po qeveris vendin me njerëz të paaftë dhe të korruptuar. Pa tjetër ka qefmbetje për humbjen e vlerave të meritokracisë brenda një familjeje politike të përbashkët.
Nga ana tjetër dhe ata që thonë se zgjedhjet janë një formalitet, ndonëse nuk kanë respekt për demokracinë, e dinë se në realitet askush nuk mund ta rrëzonte Edi Ramën sot brenda PS-së. Për sa kohë ai hudhëheq qeverinë, për sa kohë ka centralizuar vendimmarrjen, ka rekrutuar të gjitha pikat kyçe dhe e ka vënë veten në rolin e shpërndërësit të bamirësive të pushtetit, ai është i pa mundshëm në çdo forum socialst.
Po atëhere pse Blushi ka sërisht të drejtë?
Ka në fakt më shumë se një arsye për këtë…
Blushi ka të drejtë sepse kërkesa e tij është legjitime dhe qoftë edhe për formalitet, askush në një parti demokratike nuk ka tagrin të anullojë garën. Vetëm nga meraku se kundërshtari i tij do dali njësoj në media, se ai do të artikulojë kritika nga tribuna me stemën e PS-së, se ai do të këtë mundësinë të afishojë të gjithë zërat kundër kryetarit aktual, se ai do të shkaktojë zallamahi mediatike, Edi Rama nuk mund të ndalojë konkurimin.
Blushi ka gjithashtu të drejtë, sepse pavarësisht nga interesat të cilat e shtyjnë, ai po e ngre zërin në emër të thirrjes së fundit për një PS demokratike. Të gjithë e dinë se pas largimit të Fatos Nanos, Rama u zgjodh herën e parë në mënyrë të çalë (Në 2005 kur i ra platforma por fitoi karrigen) dhe herën e dytë në mënyrë hipokrite dhe qesharake (Pasi humbi zgjedhjet e 2009, nuk pranoi të jepte dorëheqjen siç qe shkruar në statut dhe zgjodhi një kandidat fallco që ti bëntë konkurencë, të cilin e merrte ne makinë më vete për të bërë garë). Pra një përçudnim i tretë do të qe fundi i një partie socialiste të hapur.
Blushi ka të drejtë edhe sepse një farë mënyre ai mund ti shpëtojë faqen PS. Nëse këmbëngul tek gara dhe nëse provon të konkurojë vetë, ai jep mesazhin se jo të gjithë socialistët duhen identifikuar me Ramën dhe me qeverisjen e tij të dështuar dhe kleptokrate.
Një skenar i tillë do të qe vazhdim i trashigimisë më të mirë të Nanos, i cili pas largimit të vet nuk e la PS tokë të djegur ashtu siç ka vepruar Berisha me PD-në.
Dhe meqë jemi këtu, tek krahasimi PD-PD, Blushi sërish ka të drejtë. Sepse ai po i ofron partisë së tij, një mundësi (ndoshta të fundit) për ti shpëtuar furisë së analistëve të papaguar nga pushteti. Sepse të gjithë ata që kanë ngritur zërin deri në kupë të qiellit, katër vite më parë se Berisha nuk bënte garë për kryesinë e partisë, nuk mund të heshtin nëse Rama anullon sfidën për kryetarin. Nëse do të ruanin të njëjtat parime ata duhet ta masakronin këtë sjellje prej Kim Jong Ili.
Pra për të gjithë këto arsye, Blushi ka më shumë sesa një herë të drejtë. Pavarësisht nga frikrat e Ramës se rivali i tij mund ta shfrytëzojë garën për të dalë nga PS-ja me një përplasje spektakolare të derës, ai nuk e shndërron dot këtë ankth, në një vijë sjellje dhe parim për drejtimin e PS-së.
Meraku se mos i njollosin portretin duhet të jetë gjithësesi më i vogël sesa etiketimi i PS-së si një parti berishiste.
Duke mbrojtur bindjet, interesat dhe ambicjen e tij, Ben Blushi po i’a jep këtë mundësi forumeve socialistëve. Tani është në dorën e tyre të shprehen. Të tregojnë se nëse nuk kanë guximin për të mbrojtur Blushin si një vlerë të PS-së, të paktën të kenë mendjekthjelltësinë, për ta atë përdorur si alibi.
Diskutime rreth kësaj post