Shpallja person “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit duket se ka tmerruar ish-kryeministrin Sali Berisha. Ky i fundit në këto tre dekada demokraci ka qenë personi dhe politikani më i fuqishëm në Shqipëri.
Por hegjemonia e tij u venit, kur mëngjesin e 19 majit, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken zbuloi se Sali Berishës dhe familjes së tij i është ndaluar hyrja për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak se për amerikanët ish-kryeministri është i korruptuar dhe minues i demokracisë shqiptare. Për rrjedhojë sot që flasim mund ta themi me plotë gojë se Sali Berisha është në ditët më të vështira të jetës së tij.
Vendi i Orban, kthehet në strehë azili për politikanët
Por frika më e madhe e ish-kryeministrit Sali Berisha nuk është vetëm “armiqësia” me amerikanët, por Struktura Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, që mund t’i trokasë shumë shpejt në derë për aferat korruptive të fëmijëve. Kështu që i gjendur në këtë rebus të vështirë, ai ka nisur një luftë për “jetë a vdekje”, fillimisht duke marrë peng Partinë Demokratike, të cilën nga shtatori e tutje kërkon ta përdorë si mburojë për të mbrojtur veten e familjen e tij.
Mirëpo njëkohësisht, Berisha ka nisur të riaktivizohet edhe me ato pak lidhje ndërkombëtare që i kanë mbetur. Dy ditë më parë zoti Berisha ka pritur në një takim, ambasadorin e Hungarisë në Tiranë. Lajmin e ka ndarë vetë ish-lideri demokrat në llogarinë e tij në “Facebook”. “Takim me ambasadorin e Hungarisë në Tiranë Shkëlqesinë e tij z. Lorant Balla. Të dashur miq sot prita në një takim ambasadorin e Republikës së Hungarisë, z. Lorant Balla. Në këtë takim shpreha mirënjohjen për mbështetjen e çmuar që Hungaria mike i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë si dhe diskutuam dhe shkëmbyem mendime për zhvillimet politike në vend. sb”, – shkruan Berisha.
Por nuk dihet përse ambasadori i Hungarisë do të duhej të takonte Berishën, kur zyrtarisht ai nuk ka asnjë rol zyrtar në politikën shqiptare dhe për më tepër, kur Berishën prej vitesh e kanë bojkotuar të gjithë ambasadorët e Perëndimit në Tiranë. Kështu që e vetmja logjikë, të çon tek frika e Sali Berishës nga shpallja “non grata” dhe SPAK.
Dhe madje nuk është çudi të jetë duke menduar të kërkojë ndihmë nga Hungaria, njësoj siç bëri Gruevski, që mori strehim politik në Hungari, pasi u dënua për korrupsion në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, duke parë të gjitha këto, natyrshëm ngrihet pyetja se po kthehet vendi i Orban në strehë azili për politikanët e anatemuar nga amerikanët.
Kujtojmë që Hungaria është në një përplasje frontale me Bashkimin Europian dhe është kërcënuar me sanksione. Ndaj, ku më mirë se në Hungari, do të gjente “shpëtim” Sali Berisha. Sidoqoftë, nga ana tjetër vlen të theksohet se ish-kryeministri Sali Berisha po ikën në një farë mënyre edhe në gjurmët e presidentit Ilir Meta, i cili gjithashtu ka një raport të mirë me Budapestin zyrtar, ku vetëm pak ditë më parë zhvilloi një vizitë zyrtare në Hungari, ndërsa u takua me presidentin e vendit, Viktor Orban.
Diskutime rreth kësaj post