Nga; Lutfi Dervishi
Pyetja revoltuese “PSE?” nuk ka përgjigje të lehtë kur shihet që media i kushton më shumë vëmendje mbytjes së 5 personave kureshtarë për të parë së afërmi mbetjet e anijes Titanik, sesa mbytjes së 700 refugjatëve në brigjet e Greqisë që kërkonin një jetë më të mirë në Europë.
Korit të revoltës që buçet në rrjetet sociale iu bashkua edhe ish Presidenti amerikan Obama që kritikoi “hipokrizinë e medias perëndimore”
Kontrasti mes 5 personave që paguan 250 mijë dollarë secili për të shuar kureshtjen për rrënojat e Titanikut të zhytur 3800 metra në thellësi të oqeanit Atlantik dhe 700 emigrantëve nga Afganistani dhe Pakistani, i bën komentet dhe reagimet edhe më cinike.
Ky është rasti klasik ku vendimi se cila ngjarje merr përparësi jo vetëm ngre pyetje, por edhe çon në protesta publike.
Përplasja e “dy aventurave” është rasti për të shpjeguar se si funksionon media. (Media tradicionale dhe jo ajo e rrjeteve sociale)
1.Lajmi
Padyshim, siç edhe dihet jo çdo ngjarje që ndodh përbën lajm, ka një sërë elementësh që e bëjnë një ngjarje me bindëse, më të rëndësishme dhe me interesante për audiencën.
Në rastin e incidentit të nëndetëses lidhur me rrënojat e Titanikut, natyra unike dhe historike e ngjarjes mund të kenë qenë faktorët që redaktorët të mendojnë se publiku do të jetë i interesuar.
Ngjarje si mbytja e Titanikut ndodhin njëherë në 100 vjet, ashtu siç lajme ku një ekip milionerësh humb jetën nga kurioziteti për të parë rrënojat e anijes në fund të oqeanit ndodhin vetëm një herë.
Historia e 5 milionerëve që bëhen famozë edhe për shkak të aventurës të pazakontë, është përballë një aventure tjetër e shkaktuar jo nga qejfi por nga drama e emigracionit.
Megjithatë, për audiencën ndërkombëtare kategorizohet si ngjarje “rutinë” panorama ku qindra refugjatë nga vende të shkretuara nga lufta humbin jetën në kërkim të një jetë më të mirë në perëndim.
E tillë do të ishte edhe nëse pranë rrënojave të Titanik, incidente të tilla do të ishin të zakonta.
Në kriteret e veçanta që një ngjarje e kthejnë në lajm janë: E pazakonta, drama dhe personazhi publik.
“Vdekja e një njeriu është tragjedi, vdekja e 10 mijë personave është statistikë”, thoshte me cinizëm Stalini.
A ka fituar shoqëria imunitet ndaj vdekjeve të njerëzve të zakonshëm?
Ky është një debat tjetër që natyrisht ka nevojë për një sërë aktorësh historik, politik, mediatik apo psikologjik të cilët mund ta orientojnë.
- Interesi dhe angazhimi publik
Titaniku zë një vend të rëndësishëm në kulturën popullore dhe misioni për të parë mbetjet e tij mund të ketë zgjuar kureshtjen dhe të ketë krijuar një ndjenjë magjepsjeje te njerëzit.
Një ngjarje dramatike që mban kuriozitetin gjallë për disa ditë është nga ato raste që redaktorët nuk i lënë të humbasin.
Këtu mjafton të kujtoni edhe historinë e Ajlanit, vogëlushit të gjetur pa jetë në brigjet turke i cili u shndërrua në simbol të dramës së klandestinëve sirianë ku media e mbajti gjerë e gjatë në fokus historinë e tij.
Madje edhe u kritikua se kaloi çdo limit etik për ta servirur ngjarjen nga çdo kënd.
- Qasja në informacion
Nëse një incident ka informacion më të disponueshëm në krahasim me një tjetër, ai mund të ndikojë që të marrë përparësi Në rastin e fundosjes së refugjatëve, marrja e informacionit të saktë dhe të detajuar ishte sfiduese, duke çuar në mbulim të kufizuar dhe sporadik.
Megjithatë, loja mediatike për ta ilustruar ngjarjen me histori që buronin nga e shkuara, lidhje mes momenteve të ndryshme historike apo gjysmëkonspiracione, e bëri akoma edhe më intriguese për të stacionuar njerëzit përballë këtyre zhvillimeve.
- Koha dhe konkurrenca
Media është një industri dinamike me konkurrencë të egër. Lajmet e fundit dhe ngjarjet në kohë reale shpesh kanë përparësi. Raportimi “DIREKT” duke shtuar edhe fjalën “NGA VENDNGJARJA” është tejet tundues.
Drama e nëndetëses në lidhje me mbetjet e Titanikut u shfaq si një lajm i madh, i veçantë dhe interesant në një kohë të varfër me ngjarje të mëdha.
Ka gjithmonë një keqkuptim mes ngjarjeve me interes publik dhe ngjarjeve interesante për publikun, dhe kjo vlen edhe për median profesioniste pa folur këtu për median e re dhe median e rrjeteve sociale ku zhytja në uji e një personazhi “publik” mund të gjenerojë me shumë pëlqime dhe komente se shpërthimi i nëndetëses ku humbën jetën 5 milionere.
Thënë më thjesht ngjarjen nuk e bënë interesante paratë që ata kishin mbi tokë, por historia që ata lanë nën oqean.
Diskutime rreth kësaj post