Pas një periudhe qetësie, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë rinisur fushatën elektorale. Pas marrëveshjes së arritur mes mazhorancës dhe opozitës mbrëmjen e 5 qershorit për reformën zgjedhore dhe miratimit të ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut, palët politike janë vënë në lëvizje, ndërsa nuk kanë munguar edhe premtimet për qytetarët.
Kështu, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, sëbashku me kryetarin e Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma, deputetët Alket Hyseni dhe Andrea Marto kanë zhvilluar dje një takim me simpatizantë të PS. Në fjalën e tij, Balla mes të tjerash komentoi edhe vendimin e Kuvendit të Shqipërisë për hapjen e listave, duke u shprehur se ato pengonin fuqizimin e ndikimit të votuesve në përzgjedhjen e kandidatëve. Në këtë kontekst, numri dy i PS theksoi se kjo nismë e mbështetur nga mazhoranca kërkohej nga shumica e qytetarëve shqiptarë.
“Pak ditë më parë Kuvendi i Shqipërisë mori një vendim historik me hapjen e listave të kandidatëve për deputetë, në mënyrë që çdo qytetar të zgjedhë jo vetëm partinë, por edhe deputetin që do. Është fakt i pakundërshtueshëm se listat e mbyllura kanë penguar fuqizimin e ndikimit të votuesve në përzgjedhjen e kandidatëve. Listat e mbyllura ishin pengesë për përfaqësimin më të mirë të komuniteteve në Parlament. Jam shumë krenar që edhe në këtë vendim të rëndësishëm Partia Socialiste, si gjithmonë, u vendos në anën e duhur të historisë, të zhvillimit demokratik dhe të përsosjes së pluralizmit dhe në anën e duhur të popullit shqiptar, të zgjedhësve shqiptarë, të cilëve me këtë votë ne u japim mundësinë të zgjedhin, jo vetëm partinë, por dhe deputetin që duan”, – deklaroi ai.
Më tej, zoti Balla e cilësoi hapjen e listave si vendim historik, ndërsa thumboi Partinë Demokratike që sipas tij, vendosi të jetë në anën e gabuar të historisë për faktin se kundërshtoi këto ndryshime.
“Ata që janë kundër vendimit pa kthim tashmë të hapjes së listave, kanë vendosur të jenë në anën e gabuar të historisë dhe të jenë kundër popullit të vet. Kjo do të thotë të mos kesh besim te populli yt dhe të tregosh se nuk e meriton besimin e tij për sa kohë nuk je në gjendje t’i japësh mundësinë që të bëjë zgjedhjen e vet”, – nënvizoi Balla.
Basha akuza qeverisë
Por nuk është vetëm Partia Socialiste që ka nisur në një farë mënyre fushatën elektorale për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2021. Në të njëjtën linjë, madje me të njëjtin zell, është rreshtuar edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili ka nisur premtimet dhe takimet me qytetarët e bizneset. Dje kryedemokrati Basha ka analizuar situatën ekonomike në të cilën ndodhet vendi pas pesë muajsh i mbërthyer nga pandemia e Covid-19, ndërsa shkruan në rrjetet sociale se paketat e ndihmës rezultuan gjysmake pas asnjë efekt në lehtësimin e krizës ekonomike të qytetarëve dhe bizneseve. Sipas Bashës, qeveria rrënoi vendin me masat gjatë pandemisë.
“Pesë muaj pas mbylljes nga pandemia, është fakt që paketat ekonomike të qeverisë rezultuan gjysmake, të pamenduara dhe pa asnjë efekt për të lehtësuar krizën për qytetarët dhe bizneset. Ndihma reale për ekonominë nga qeveria Rama nuk arriti as në 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto duke u renditur e fundit në rajon. Faktet sot tregojnë se është lëvruar vetëm 32% e fondit total të dy paketave të premtuara nga qeveria.
Shqiptarët janë sot më të varfër se kurrë këto 30 vitet e fundit, qindra biznese të vogla kanë mbyllur dyert, mijëra qytetarë kanë humbur vendet e punës, qindra studentë e kanë të pamundur të përballojnë jetën studentore. Këtë vit shumë familje do ta kenë të pamundur të çojnë fëmijët në universitete për shkak të pamundësisë ekonomike. Ndërsa qeveritë në mbarë botën po vazhdojnë mbështetjen ekonomike dhe sociale për bizneset, qytetarët e veçanërisht të rinjtë qeveria e Shqipërisë ofron vetëm video 3D dhe propagandë”, – deklaroi Basha.
Diskutime rreth kësaj post