Mazhoranca qeverisëse ka prishur planet e opozitës për të destabilizuar zgjedhjet vendore të vitit 2019. Aktualisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka 4 vende vakante, ku dy i përkasin Partisë Socialiste dhe dy të tjera i përkasin partive të opozitës. Mirëpo, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim pak ditë më parë bënë me dije se kanë vendosur të mos propozojnë asnjë kandidat për vendet vakante në KQZ. Ndërkohë që mazhoranca u ka prishur planet PD-së dhe LSI-së, pasi dje ka propozuar dy kandidaturat e saj për në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke rimarrë shumicën në këtë institucion. Bëhet fjalë për zotin Bledar Skënderi dhe zonjën Rezarta Bitri, të cilët do të jenë dy kandidaturat e Partisë Socialiste që do të shkojnë në Kuvend për t’u votuar, pasi dje kaluan me sukses seancën dëgjimore në Komisionin e Ligjeve. Fillimisht, ishte Bledar Skënderi, ai që doli para Komisionit të Ligjeve në seancë dëgjimore, duke marrë votat unanime nga ligjvënësit socialistë. Kujtojmë që Skënderi do të zërë vendin e Vera Shtjefni, e cila mbaroi mandatin si e zgjedhur nga PD në kohën kur kjo parti ishte shumicë. Ndërsa më pas para Komisionit doli zonja Rezarta Bitri që do të zëvendësojë në këtë detyrë Hysen Osmanin. Edhe për zonjën Bitri, votat e deputetëve të mazhorancës në Komisionin e Ligjeve ishin në unanimitet. Në këto kushte, Partia Socialiste mban shumicën me 4 anëtarë, ndërsa opozitës i ngelin dy të tillë, siç janë Klement Zguri dhe Gëzim Veleshnja. Ky i fundit, në zbatim të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese mund të qëndrojë në detyrë deri me ardhjen e zëvendësit të tij. Kështu LSI, e cila duhet të negocionte me PD-në një mandat në KQZ, vazhdon të ruajë një karrige në komision, të paktën për sa kohë opozita nuk po sjell kandidatë të rinj. Megjithatë, marrja e shumicës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, është edhe një sinjal i qartë për binomin Basha-Kryemadhi, duke i alarmuar këtë të fundit. Pak ditë më parë PD dhe LSI kishin deklaruar se nuk do të paraqesin asnjë kandidaturë për vendet vakante, me qëllimi bllokimin e zgjedhjeve vendore të vitit 2019. Mirëpo, me këtë lëvizje PS duket se rrëzon çdo alibi të opozitës, duke shprehur gadishmërinë se zgjedhjet do t’i zhvillojë edhe nëse minoranca nuk merr pjesë në to.
Debate në komision
Mbledhja e djeshme e Komisionit të Ligjeve, në të cilën u miratuan dy kandidaturat e Partisë Socialiste për në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, nuk kaloi pa debate mes deputetëve dhe dy kandidatëve. Ishte deputeti socialiste, Bashkim Fino, i cili pyeti kandidatin Bledar Skënderi se përse KQZ shkeli kodin zgjedhor kur regjistroi Partinë Demokratike për zgjedhjet e vitit 2017 jashtë afateve të ligji. Por Skënderi u përgjigj se qëllimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është të garantojë zgjedhje të ndershme, pavarësisht disa pikave në ligj, duke i kujtuar Finos se mund ta ankimonte vendimin e KQZ. “Z. Fino, ju keni qenë kandidat për deputet. Subjekt zgjedhor, mund ta kishit ankimuar. Nuk pati asnjë ankimim për vendimmarrjen tonë, që do të thotë se ka qenë e drejtë. Ne synojmë mbi të gjitha mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe nuk jemi të ngurtë në leximin e ligjit”, deklaroi ai. Më tej, socialistët kërkuan gjithashtu llogari për hetimet që ka bërë KQZ për shkeljet në zgjedhje. Por për Bledar Skënderin, ku institucion nuk ka aq kompetencë për një çështje që i përket prokurorisë. “Ka nevojë dhe për një zgjerim të kuadrit ligjor që ne të na japin tagër pak më tepër, jo për të bërë hetim, por për të pasur pak më shumë të drejta që ne të hyjmë pak më thellë në kuadër të hetimit financiar të partive politike”, nënvizoi ai.
Diskutime rreth kësaj post