Arben Ahmetaj tashmë ndodhet i vetëm përballë drejtësisë, pasi partia e tij e zhveshi nga mburoja politike e imunitetit. Me qëndrimin pro në Këshillin e Mandateve, duke e bashkuar me atë të demokratëve, mazhoranca i rekomandon Parlamentit që t’i hapë rrugë arrestimit dhe kontrollit të banesës së deputetit të Partisë Socialiste.
Reklama Në kushtet që socialistët janë në kërkim të një kryetari për të drejtuar grupin parlamentar, i pari që mazhoranca zgjodhi të nxjerrë publikisht për të mbajtur qëndrim për kolegun e tyre ishte Arben Pëllumbi: “Ne kemi qëndrimin tonë për të mos bërë avokatin e askujt”. Por, për këtë përfundim nuk ishin dakord dy avokatët e deputetit socialist Arben Ahmetaj, të cilët e cilësuan një “show” të drejtësisë dhe të politikës për të dëmtuar klientin e tyre: “Nuk kishte prova për të lejuar kontrollin e banesës dhe përdhosjes së figurës”.
Ndërsa procedurat e drejtësisë dhe ato parlamentare shkojnë në harmoni për këtë rast, vendndodhja e ish-zv/kryeministrit ende nuk dihet. Avokatët thanë: “Ka arsye personale, kemi folur me të para 5 minutash”.
Por, Ahmetaj nuk është i vetmi emër në dosjen që ndodhet në Kuvend. Gazmend Bardhi listoi edhe funksionarët e tjerë të mazhorancës. Partia Demokratike e dorëzoi në Kuvend raportin e saj me kërkesën që të shqyrtohet në seancën e kësaj të enjte, ndërsa socialistët me shumicë kartonash vendosën që të mbahet një seancë e posaçme të hënën në orën 17:00. Pasi të formalizohet edhe nga Parlamenti, SPAK-ut i hapet rruga për ta arrestuar Arben Ahmetajn, nëse deri të hënën do të mësojë se ku ndodhet deputeti socialist.
Diskutime rreth kësaj post