Mazhoranca socialiste do të dërgojë brenda 10 ditëve të fundit dy projektligjet për ndryshimet në ligjin e Partive Politike dhe Kodin Zgjedhor në kuadër të spastrimit të funksionarëve të pushtetit lokal e qendror, deputetë, apo kandidatëve të lidhur në të kaluarën me ish-Sigurimin e Shtetit të diktaturës komuniste. Lajmi u bë i ditur nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Kjo nismë mbështetet dhe nga partia më e madhe opozitare PD, që kërkon hapjen e plotë të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe ndalimin e personave të lidhur me organin më famëkeq të sistemit të kaluar politik. Deputetët e mazhorancës mbështetën dhe kërkesën e PD për të kthyer në muze përkujtimorë ish-burgun e Spaçit dhe ish-kampin e Internimit të Tepelenës.
Megjithatë, socialistët nuk pranojnë kërkesën e kreut të grupit parlamentar të selisë blu, ndalimin e vendosjes së simboleve të komunizmit. Nëse miratohen 3 propozimet e mësipërme, dy liderët e opozitës, ish-presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha rrezikojnë të përjashtohen nga politika. Meta akuzohet se ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit dhe për të fshehur lidhjet ka ndryshuar mbiemrin, ndërsa Berisha ka qenë për 22 vite anëtar i Partisë së Punës të Shqipërisë, që instaloi regjimin diktatorial duke e drejtuar vendin për 48 vite me radhë.
Balla: “S’mund të kemi kryetarë partish bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit
Eksponenti socialist.Taulant Balla deklaroi pas mbledhjes së grupit të deputetëve socialistë se PS mbështet Autoritetin për Informimin mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit për të verifikuar të gjithë politikanët dhe funksionarët e çdo niveli qeverisës si dhe që çdo kandidat për qeverisjen lokale e qendrore të bëjnë kërkesë për të verifikuar pastërtinë e figurës së tyre në AIDSSH.
“Ka nevojë urgjente e politikës shqiptare dhe institucioneve të tjera për t’u pastruar nga ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Kemi diskutuar për 2 projektligjet që janë në proces; i pari ligji për Autoritetin për Informimin mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit, nuk do të ketë më asnjë pengesë për t’u verifikuar edhe ata që janë verifikuar më parë. Dhe natyrshëm edhe çështja tjetër për parashikimin në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, ku të gjithë kandidatët të bëjnë kërkesë te Autoriteti dhe ata të kenë mundësi të verifikojnë”, deklaroi fillimisht Balla.
Më pas, ai theksoi se do të ndërhyhet dhe në Ligjin e Dekriminalizimit për të ndaluar që të zgjidhen kryetarë partish persona që rezultojnë me të dhëna komprometuese si pjesëtar apo bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit.
Ky mesazh shkon direkt për liderët e opozitës Berisha-Meta. Gjithashtu vijon puna brenda grupit parlamentar për pjesën tjetër të paketës që ka të bëjë edhe me Ligjin për Dekriminalizimit, ku të parashikohen edhe bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit, si dhe Ligji për Partitë sepse nuk mund të jesh kryetari i një partie politike, nëse rezulton të kesh qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Natyrshëm që kemi edhe çështje të tjera që kemi adresuar ne mbledhjen e grupit parlamentar”.
Berisha “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe, Balla: Edhe BE do veprojë njësoj
Por, kreu i grupit parlamentar të PS paralajmëroi se ish-kryeministri dhe drejtuesi i Grupit të Rithemelimit të PD, Sali Berisha do t’i ndalohet hyrja në të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Balla theksoi se ky vendim pritet të merret shumë shpejt teksa Parlamenti Europian ka dërguar një draftpropozim që çdo politikan i shpallur “non grata” nga SHBA, të mos i lejohet hyrja në asnjë vend të Eurozonës.
“Ka një iniciativë të depozituar në Parlamentin Evropian ku kërkohet që personat të cilët janë shpallur ‘non-grata’ nga SHBA-ja apo të përfshirë në instrumente të tjerë që SHBA-ja po implementon për të identifikuar këdo që punon në dëm të demokracisë, natyrshëm një gjë e tillë do të ndodhë edhe në BE. Sipas vlerësimit tim, një gjë e tillë nuk do të vonojë e do të ndodhë shumë shpejt. Këta persona duhet të kenë të njëjtën qasje nga Parlamenti Evropian pastaj edhe nga vendet e BE-së. Është intuitive që një gjë e tillë të ndodhë”, u shpreh për mediat kreu i grupit të deputetëve të PS.
Lobimi rus në PD, Balla: “Partitë të bëjnë transparente financimet e tyre
Zyrtari i lartë i mazhorancës u ndal dhe te çështja e lotimit rus në PD, ku mediat amerikane iu rikthyen çështjes së 5 viteve më parë. Taulant Balla tha se ka ardhur koha që partitë politike në Shqipëri të rrisin transparencën për financimet e tyre në mënyrë që të shmangen sponsorizime nga shtete apo persona që nuk kanë raporte bashkëpunuese dhe miqësore me shtetin shqiptar. “Rritja e mekanizmave mbrojtës duhen adresuar. Kemi miratuar edhe ne një sërë rekomandimesh përmes një rezolute që ka të bëjë me dezinformimin dhe ndërhyrjen e aktorëve të huaj në çështja të brendshme. Ne duhet të fillojmë të mendojmë se si duhet të rrisim transparencën e financimit sipas parimeve më të mira ndërkombëtare në mënyrë që të kuptojmë që në rast të identifikimit të financimit nga burime apo aktorë të tjerë jo miqësorë me Shqipërinë, duhet të jemi të mbrojtur”, tha Balla”, përfundoi daljen për mediat kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla.
Diskutime rreth kësaj post