Protesta e PD-së kundër punimeve në parkun e Liqenit Artificial do të shkaktonte përplasje ndërmjet dy liderëve kryesorë të politikës shqiptare, Kryeministrit Edi Rama dhe liderit të opozitës, Lulzim Basha. Edhe pse ndodhej në një takim jashtë vendit, Rama nuk do të ngurronte të postonte në rrjetet sociale komentin “Vaj medet PD ku u katandise, nga rruga e luftës me diktaturën te lufta me objektet rrugëve”.
“Edi Rama vazhdon të thellojë hendekun mes dy botëve që ka krijuar në vend. Në botën e tij gëlon shkelja e ligjit, e Kushtetutës, vjedhja dhe korrupsioni. Në këtë anë, janë strehuar hajdutët që vjedhin dhe s’pyesin për askënd. Në botën tjetër, janë qytetarët e pamundur, të cilët i kap ligji dhe represioni, edhe për një tjegull që vendosin në çati, edhe për një dritare që rregullojnë. Në botën e Edi Ramës, është Erion Veliaj që shkallmon parkun e liqenit pa leje, që ndërton aty kafe dhe restorant për interesa korruptive. Protestë, rezistencë, përballje”, shkruan Basha në “Facebook”. Ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se protesta vazhdon, duke bërë thirrje për një revolucion demokratik. “Ju bëj thirrje qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë të vazhdojmë revolucionin tonë demokratik dhe me të gjitha mënyrat e mosbindjes paqësore civile të shpëtojmë veten, vendin nga regjimi i mobokracisë (banditëve) i Edi Ramës dhe neobllokmenëve të tij!”, shkruan Berisha. Ndërsa deputeti i PS-së, Erjon Braçe, do t’i cilësonte protestuesit si barbarë.
“Barbarët!! Në krye Kërriçi!! Këta nuk e meritojnë këtë qytet. Besoj se kush dje kishte dyshime, tani është e ka të qartë”, shkruan Braçe. Ndërsa kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi, i kundërpërgjigjet atij me “kjo kone e vogël, se as qen nuk mund t’i thuash, guxon të etiketojë të rinjtë e FRPD-së si ‘barbarë’. Barbarë në fakt janë këta që sot po betonizojnë parkun e Liqenit Artificial. Barbarë jeni ju, që shtyni çdo ditë qytetarët drejt vetëvrasjes, ndërsa për vete shtoni pasuritë tuaja”.
Diskutime rreth kësaj post