Situata shkoi deri aty saqë Gramoz Ruçi përjashtoi nga punimet e Parlamentit kreun e demokratëve, Lulzim Basha, madje duke i hequr dhe ditën e punës nga paga. Situata u tensionua pasi kërkesa e demokratëve për debat u refuzua nga socialistët, të cilët gjetën mbështetjen edhe të LSIsë për të shtyrë diskutimet për Reformën Zgjedhore për të enjten e ardhshme. Por Lulzim Basha e ka quajtur si mbyllje goje të opozitës qëndrimin e PS-së.
Basha dhe demokratët qëndruan në këmbë në foltoren e Kuvendit në tentativë për të folur më gjatë, por kjo u konsiderua nga Ruçi si zaptim të foltores së Kuvendit. Ai e ndërpreu seancën katër herë rresht, duke i kërkuar Bashës të largohej nga Parlamenti. Madje urdhëroi Gardën që të shoqërojë jashtë kreun e PD-së, por ky i fundit bashkë me deputetë të PD qëndruan në sallë për 7 orë rresht.
Edi Rama gjatë replikave me mikrofon e ka quajtur të pakuptimtë debatin për një çështje që ishin të gjithë dakord. Ai tha se opozita ishte “pa punë”, ndaj donte të mbante Parlamentin peng. Në fund të seancës, në orën 18:00, socialistët votuan projektvendimet në rendin e ditës, ndërkohë që Ruçi lajmëroi se nuk do të thërriste Byronë e Kuvendit për të dënuar më shumë Bashën.
REPLIKAT NË PARLAMENT
Taulant Balla: Debat me zor me një palë që ka dhënë konsensus nuk mund të ketë. Ne nuk kemi as kohën dhe as nevojën për të bërë debat me ju për një hall që keni vetëm ju. Ne nuk e kemi këtë hall… Kjo çështje të kalojë për seancën tjetër.
Gramoz Ruçi: Biem dakord, zoti Spaho, të diskutojmë seancën tjetër të së enjtes?
Edmond Spaho: Unë sugjeroj që të mbledhim Konferencën e Kryetarëve dhe të diskutojmë për këtë çështje.
Gramoz Ruçi: Jo. S’ka tashti nevojë për Konferencë Kryetarësh.
Edmond Spaho: Unë i ngelem propozimit për në orën 4 pasdite. Edhe për programin qeveritar kemi qëndruar dhe e kemi pranuar propozimin tuaj. Ju kërkoni një javë.
Edi Rama: Po, ne jemi dakord me juve.
Edmond Spaho: Për në orën 4 pasdite?
Edi Rama: Jo dakord për orarin, por për komisionin si e doni ju. Çfarë debati doni të bëjmë apo kot? Jeni pa punë, s’keni ça bëni?
Edmond Spaho: Pa punë mund të jeni ju se jeni pa program. Kur të keni program, atëherë do filloni të punoni…
Lulzim Basha: Mblidh Konferencën e Kryetarëve të diskutojmë. Zbato rregulloren.
Gramoz Ruçi: Pse të mbledh Konferencën e Kryetarëve? Ky është problem i seancës, nuk vendos Konferenca e Kryetarëve të ketë diskutime apo jo.
Lulzim Basha: Për procedurë. Dua fjalën për procedurë.
Gramoz Ruçi: Kush është dakord që të shtyhet për seancën tjetër?
(PS dhe LSI votojnë me karton për shtyrjen e debatit për të enjten tjetër).
Lulzim Basha: Ky biçim Parlament po degradon nga dita në ditë. Sot ke në rendin e ditës çështjen më të rëndësishëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve, çështjen e zgjedhjeve. Opozita ka depozituar kërkesën për debat, ke emrat e folësve të opozitës. Ky Parlament nuk është pronë e maxhorancës, nuk është pronë e jotja, është pronë e qytetarëve shqiptarë dhe funksionon vetëm në bazë të rregullores dhe jo kartonëve që ngre ti këtu. Ju keni lepurin në bark, s’dini nga t’ia mbani; se nga një anë keni ngjarjen e Elbasanit, nga tjetra anë keni Rrugën e Elbasanit. Po ky është problemi juaj. Problemi i shqiptarëve është se ju vini këtu me një maxhorancë fiktive, në aleancë me krimin, me një Parlament ilegjitim. Kjo lojë nuk mund të vazhdojë gjatë, ndaj mblidh Konferencën e Kryetarëve. Mos ngri kartonët bosh këtu. Ose, përndryshe, bëhu përgjegjës për bllokimin total të punimeve të këtij Parlamenti.
Gramoz Ruçi: Mund të uleni zoti Basha, se do të flas unë. Kjo s’është mbyllje goje e opozitës. Unë s’po e hedh në votim që mos të ketë diskutim, por diskutim do të ketë. Kjo çështje konsiderohet e mbyllur.
Lulzim Basha: Më jep fjalën…
Gramoz Ruçi: Zoti Basha, mos pushtoni foltoren se nuk dua ta nis Parlamentin me përjashtimin tuaj si deputet.
Gent Strazimiri: Provoje një herë, provoje…
Gramoz Ruçi: Po plotësohet koha 2 minuta, uluni se do të marr masa. Për pushtim të foltores të tërheq vëmendjen.
(Ruçi ndërpret seancën për 5 minuta. Pas pushimit, deputetët e opozitës qëndruan në këmbë dhe Basha në foltoren e Kuvendit)
Gramoz Ruçi: Uluni poshtë, që të votojmë kolegë!
Lulzim Basha: Më jep fjalën, mos u bëj qesharak.
Gramoz Ruçi: Hedhim në votim kërkesën e zotit Spaho, që debati të bëhet sot pasdite…(deputetët e PS-së votojnë kundër me karton). Nuk miratohet. Ulu, ulu poshtë!
Lulzim Basha: Më jep fjalën për procedurë… Nuk ulem!
Gramoz Ruçi: Nuk ulesh, por mos harro që ke marrë një vërejtje. Do të të përjashtoj nga seanca.
Lulzim Basha: Provoje të më përjashtosh! Provoje…!
Edi Paloka: A na përjashton dot të gjithëve?!
(Ndërpritet sërish seanca, Ruçi paralajmëron Bashën)
Gramoz Ruçi: Deputeti që zapton foltoren, me urdhër të kryetarit të seancës, përjashtohet për atë ditë. Nëse deputeti nuk pranon të dalë nga salla, drejtuesi i seancës i jep porosi shërbimit të sigurisë së Kuvendit, për zbatimin e urdhrit të dhënë. Masa e përjashtimit shoqërohet dhe me sanksione financiare të barabarta me një ditë nga paga e deputetit. Zoti Basha, nuk do të dëshiroja kurrë që masa e parë që do të jepja do të ishte pikërisht për liderin e opozitës. Edhe një herë ju bëj apel të uleni! Zoti Basha, mund të dilni dhe të lini sallën e Parlamentit. Ndërpritet seanca deri sa zoti Basha të ndërgjegjësohet.
Ervin Salianji: O shoku Gramoz, nuk dënon dot me nenin 55 për agjitacion e propagandë. Ka ikur ajo kohë…
Edi Rama: Mbaroi seanca tani, hajde se mbaroi seanca.
Gramoz Ruçi: Deputeti Basha nuk zbatoi urdhrin e drejtuesit të seancës për masën e dhënë.
(Pas përjashtimit të Lulzim Bashës, seanca rinisi në orën 18:00 të pasdites. Ruçi hodhi në votim projektvendimet, ndërkohë që demokratët qëndruan në këmbë në foltoren e Kuvendit).
Gramoz Ruçi: Duke qenë se deputeti i ndëshkuar është për herë të parë deputet, njoftoj deputetët që nuk po ushtroj kompetencat që me jep rregullorja si kryetar i Kuvendit për të thirrur Byronë e Parlamentit dhe për të marrë masa akoma më të rënda për situatën e sotshme. /Panorama/
Diskutime rreth kësaj post