Pas thirrjeve të vazhdueshme ndaj qytetarëve, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi këtë të Premte se protesta e radhës që PD do organizojë është krejt ndryshe. Siç shprehet ai, kjo lloj proteste kërkon përgatitje të madhe dhe nuk do ndalet.
“Jo është shumë e qartë që partia do të nisë protesta, por kjo nuk është një protestë që do rrijë disa orë aty dhe pastaj do shpërndahet. Kërkon një përgatitje të plotë në radhë të parë psikologjike, politike, të gjithanshme dhe pastaj kur të fillojë nuk do ndalet. S’ka diskutim që thelbi i të gjithë përpjekjes së opozitës është mbrojtja e votës së lirë dhe rikthimi i të drejtave të tjera. Natyrisht qytetari përballet sot me probleme shumë të dhimbshme të cilat edhe ia sfumojnë interesin për liritë, por ne jemi këtu dhe do bëjmë gjithçka t’i bindim se të gjitha këto kanë emërues të përbashkët mungesën e lirive. Nëse opozita heq dorë nga këto, atëherë firmos për të qenë fasadë e regjimit.”
Sa i takon marrjes së drejtimit të Partisë Demokratike në mënyrë ligjore, Berisha akuzoi organet e drejtësisë se janë krejtësisht të kontrolluar nga numri një i qeverisë. Sipas tij vendimi për vulën e PD mbahet peng prej 4 muajsh.
“Më njeh e gjithë bota përveç Edi Ramës. Ngjarjet të palidhura me njëra-tjetrën, por statuti do zbatohet pa asnjë diskutim. Gjykatën e Lartë e dominon Sokol Sadushi, i cili mbahet peng nga Edi Rama me dosjen e Vettingut dhe siç keni vënë re ju një vendim që duhet ta jepte brenda 30 ditëve e mban prej 4 muajsh në sirtar me urdhër të Edi Ramës, kështu na pengoi të shkojmë në Strasburg. Organet këtu janë anti-ligjore, të kontrolluara nga Edi Rama. Çështja është për rigjykim, por Sadushi mban dosjen. Shkoni kërkoni te ajo zonja te KLGJ, aty shihet se si e lejon ligji.”– tha ai.
Diskutime rreth kësaj post