Një protestë është zhvilluar ditën e sotme në Tiranë, kundër rritjes së çmimeve, ku ka marrë pjesë edhe aktivisti Arlind Qori. Qori deklaroi se protestat do të vijojnë dhe se është e nevojshme një reformim.
Ai akuzon qeverinë për paaftësi për të dalë nga kriza, teksa shton se qytetarët nuk po protestojnë për një vilë në bregdet, por për bukën e tyre.
“Ne po luftojmë për gjëra jetike, nuk po luftojmë për luksin, për makinën e tretë, për vilën në bregdet, ne po luftojmë për bukën, pra për të drejta që do duhet t’i kishim dhe nuk i kemi për shkak të krizës. Ne shumë gjëra që mund ti prodhonim vetë, nuk i kemi.
Protesta i drejtohet qeverisë në radhë të parë… mendoj se ka alternativa për zgjidhjen e kësaj krize, por a kemi një qeveri që na dëgjon?!
Ne kemi një qeveri të korruptuar de të kapur nga oligarkët. Mendoj se protesta ka nevoja dhe kërkesa që ia drejtojmë njëri tjetrit dhe opinionit publik që ne të bashkohemi, por nuk mendoj se gjërat që ne kërkojmë mund të plotësohen nga kjo parti, madje nga asnjë nga qeveria e ndonjë partie tjetër aktuale.
Ne kemi nevojë për një reformim të thellë, sot qytetarët kanë shumë pak të drejta. Në radhë të parë protesta është për rritjen e çmimeve, por si dilet nga kjo krizë, si bëhet zbritja e çmimeve?
Nga kriza nuk dilet thjeshtë duke artikuluar kërkesa, dilet duke artikuluar aspirata, programe por nga ana tjetër duke pasur idenë që ata që janë në pushtet nuk vlejnë dhe janë të kapur, të paaftë.
Ne kemi nevojë për një valë protestash, kemi thirrur edhe ditën e nesërme, nuk mjafton vetëm vullneti jonë por duhen përfshirë sa më shumë nga shoqëria”, u shpreh ai.
Diskutime rreth kësaj post