Nga Mero Baze
Protesta e sotme e opozitës konfirmoi gjendjen e Partisë Demokratike më 25 qershor dhe vështirësinë e ngjizjes së opozitës së re me LSI. Të gjithë ata që i janë turrur Lulzim Bashës që ka dështuar, po e tepërojnë. Natyrisht dhe ata të çmendurit që i thonë “ky ishte miting”, janë duke e marrë me qafë. Lulzim Basha as është rritur, as është zvogëluar. Përtej asaj çfarë ka ndodhur në këto gjashtë muaj, Lulzim Basha tregoi se Partia Demokratike nuk është ngritur dot nga shtrati ku e shtriu Lulzim Basha më 25 qershor. Edhe pse në favor të saj kanë fryrë plot erëra të papritura, jo prej saj, ajo nuk ka mundur dot të zgjohet.
Në përpjekjen e tij për të demonstruar se do të bashkonte shqiptarët rreth vetes, Lulzim Basha provoi se ende nuk ka bashkuar dot partinë. Mitingu nuk ishte dëshpërues siç thonë shumë komentatorë, pasi sipas tyre nuk kishte pjesmarrjen e pritshme. Një miting vlen dhe me më pak vetë, por që rrezatojnë energji dhe shpresë. Mitingu i ngjante më shumë përkujtimit të gjashtë muajve të zgjedhjeve të 25 qershorit dhe vdekjes klinike të PD, se sa demonstrimit të një fuqie të re që mund të ngrejë opozitën.
Në mes të protestueve mbizotëronte heshtja dhe mosbesmi për atë që dëgjonin, dhe më tej akoma një ndarje si me thikë e atyre që nuk e pranojnë dot ende Bashën për kryetar, nga të tjerët. Paneli i oratorëve ishte dëshpërimisht i frikshëm.
Prania e disa prej atyre figurantëve në një tubim opozitar është kthyer tashmë një fyerje personale për çdo qytetar shqiptar. Dhe nuk është puna se ata nuk ngjallin shpresë. Kjo është e keqja më e vogël, pasi shpresë nuk ngjall as Edmond Spaho. Por ata kanë ende fuqinë e duhur, të prodhojnë dëshpërim dhe ligështi tek çdo qytetar, sa herë ua shikon fytyrën, apo dëgjon premtime që dhe një gur do ta kishin bërë të plaste, e jo më njerëzit. Çdo të thotë përshembull që njeriu të dëgjojë Fatmir Mediun që t’u thotë “do t’u kthejmë pronat”, “do luftojmë krimin” (mik i gjithë kriminelëve të Shqipërisë) dhe “do luftojmë korrupsionin….”
Çdo të thotë të dëgjosh Nard Ndokën të flasë seriozisht, apo “Dukën e krimit”, siç e ka përkedhelur Doktori në vite, të flasë kundër krimit e korrupsionit, sidomos në atë parti. Minimumi do të thotë t’i trajtosh qytetarët si budallenj.
Basha po ashtu provoi se ka problem me ngjizjen e koalicionit me LSI. Ndërkohë që ai nisi të fliste, siç shikohet nga gjithë videot e regjistruara “live”, qindra protestues filluan të braktisin protestën. Në pamje të parë duket sikur janë demokratë që refuzojnë Bashën, por në fakt janë njerëz të LSI, që pasi dëgjuan Kryemadhin u larguan në mënyrë demonstrative për t’i treguar atij, se kush ja mbushi dhe aq pak bulevardin. Janë të njëjtët që ndërprisnin fjalimin e Dashamir Shehit, duke thirrur “Basha”, “Basha”, që të dukej sikur ai kishte problem me Bashën, por në fakt ka problem me LSI. Është një xham i thyer që nuk ngjitet më.
Është siç ishte PD dhe më 25 qershor, kur Basha hyri në zjedhje duke zemëruar gjithë partinë, dhe duke bërë sikur ishte në aleancë me LSI. E vetmja gjë e re që është shtuar që atëhere, është ulërima e Berishës kundër tringëllimave të prangave, që sillen si fantazma rrotull familjes së tij. Por dhe kjo duket që nuk ka prekur askënd, përveç Berishëve.
Mitingu i sotëm nuk ishte as i dështuar dhe as sukses. Ishte një zgjatim i 25 qershorit, i atij rezultati që Basha sa herë bëhet gati ta kontestojë, aq herë e konfirmon. Me pafuqinë e tij.
Diskutime rreth kësaj post