Protesta në Arizona kundër Trump
Duke shpalosur pankarta me mbishkrimin “Trump budallai”, protestuesit, që i penguan rrugën kryesuesit të garës për nominimin republikan në Presidencialet e nëntorit, ia përçuan fort dhe qartë miliarderit njujorkez mesazhin.
Demonstruesit bllokuan një autostradë të Arizonës, në kohën kur Trumpi përgatitej të mbante tubimin e parashikuar elektoral në Phoenix. Dhjetëra protestues shkaktuan një pështjellim të vërtetë të trafikut, incident ky që vjen vetëm një javë pas anulimit të një mitingu në Chikago.
Qindra vetë u mblodhën në Universitetin e Illinoisit, ku shpërthyen shumë shpejt përplasje të ashpra mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të Trumpit, që duhej t’i drejtohej sallës së mbushur plot. Trazirat e fundit i panë demonstruesit të marshonin përgjatë autostradës, që të çon në Fountain Hills. Policia bëri disa arrestime, përpara se turma të shpërndahej.
Duke folur më vonë, gjatë një tubimi në Tucson, Trump e përkufizoi protestën “një turp”, e tha se pjesëmarrësit e saj përfaqësonin që të gjithë Hillary Clintonin. “Më shumë të kishin vënë në pranga, – u shpreh ai. – Ndaluan 3 vetë e të tjerët i lanë të lirë. Kam të gjithë respektin për forcat tona policore, por nëse do të ishin më pak të kursyer në arrestime, sot do të kishte më pak protestues rreth e rrotull, më pak agjitatorë”.
Demonstrata pati, nga ana tjetër, edhe në qytetin e miliarderit, Nju Jork, ku qindra vetë u mblodhën përpara kullës “Trump” në Manhattan, me slogane që e akuzonin për racizëm.
/ Top Channel
Diskutime rreth kësaj post