Mbi 1500 efektivë policie do të jenë në terren të shtunën e 11 shkurtit për të siguruar mbarëvajtjen e protestës së thirrur nga Partitë e opozitës.
Në ndihmë të efektivëve të policisë, do të vihen edhe efektivë të forcave speciale RENEA si Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë për të menaxhuar turmën e protestueseve në rast të një skenari të dhunshëm.
Burime për Euronews Albania bëjnë me dije gjithashtu se të mërkurën pasdite, drejtori i policisë Muhamet Rrubullaku ka thirrur në takim të gjithë shefat e komisariateve të Tiranës në prani të drejtuesve të departamenteve për të diskuar planin e masave për tubimin e së shtunës.
Ashtu si edhe protestat e kaluara, policia do të vendosë disa pika kontrolli në hyrjet dhe daljet e kryeqytetit. Akset që të çojnë drejt bulevardit dëshmorët e kombit do të bllokohen që mëngjesin e së shtunës, ndërsa efektivët e policisë do të kalojnë në gatishmëri që të premten pasdite.
Pjesa ballore e kryeministrisë pritet të fortifikohet me dyer hekuri bashkë me dritaret, pasi ashtu siç është njoftuar edhe nga partia Demokratike zhvillimi i protestës do të përqendrohet pikërisht poshtë zyrës së kryeministrit.
Kjo është protesta e katërt e thirrur nga kryedemokrati Berisha që pas rikthimit të tij në krye të Partisë Demokratike. 3 të parat kanë qenë me karakter paqësor, ndërsa për protestën e së shtunës e cila do të nisë në orën 12:00, nuk ka ende detaje nga opozita për mënyrën e organizimit.
Diskutime rreth kësaj post