Partia Demokratike mund ta përshkallëzojë protestën e saj për zgjedhjet.
Vendimi nuk është marrë akoma, por kreu i opozitës Lulzim Basha e diskutoi përhapjen e protestës në disa pika të ndryshme të vendit, në një takim me kryetarët e degëve të Partisë Demokatike.
Njëri nga opsionet është bllokimi i disa akseve kombëtare, por mbledhja nuk mori vendim se cilët do të jenë këto akse dhe kur do të bllokohen.
Opsioni i përshkallëzimit të protestës së opozitës përkon me vizitën disa orëshe të martën në Tiranë të negociatorit gjerman David McAllister.
Se për çfarë janë të gatshëm të negociojnë demorkatët, kjo është e paqartë, por ish-kryeministri Berisha ka të qartë për çfarë nuk negociohet.
“Ne nuk bëjmë kompromis me drogën. Me një akt të tillë kemi kthyer krimin në të ardhmen e shqiptarëve dhe kjo do të ishte ndëshkimi më i madh”, deklaroi Berisha.
Përpara vizitës së negociatorit gjerman, ish-kryeministri bëri edhe një paralajmërim tjetër. “Askush më shumë se ne nuk e do stabilitetin, por ne kemi bindjen më të thellë se pa votë të lirë nuk ka stabilitet”, tha Berisha.
Megjithatë, duket sikur opozita nuk pret ndonjë ndryshim të pozicionit të kryeministrit. “A ikën Edi Rama? Edi Rama më parë vret veten sesa ikën. Uroj t’i vijë mendja dhe të pranojë zgjidhjen e ofruar, asgjë tjetër veçse votën e lirë”, tha Berisha.
Diskutime rreth kësaj post