Protesta e opozitës së udhëhequr nga Partia Demokratike ka hyrë në ditën e tretë, por ndryshe nga nata e parë në të dytën në çadër ka pasur më pak simpatizantë.
Protestuesit e kanë kaluar natën duke luajtur letra, shah, ndërsa herë pas here fjalën e merrnin simpatizantët për të mbajtur lart atmosferën.
E ndërsa ish-kryeministri Berisha është larguar pak para mesnate, kryetari i PD ka qenë në lëvizje, ndërsa në orët e para të mëngjesit është larguar për t’u rikthyer.
PD vendosi dje bojkotin e komisioneve parlamentare dhe seancës së të enjtes, ndërsa sot pritet që të jetë një ditë intensive, pasi në Tiranë do të vijë në një vizitë tre ditore eurodeputeti Knut Fleckenstein.
Qëllimi kryesor i vizitës ishte parashikuar për të diskutuar për Vettingun, por tashmë do të negociojë për krizën politike pas protestës që ka nisur opozita.
Eurodeputeti është parashikuar që të zhvillojë takime me liderët e politikës shqiptare, ndërsa opozita kërkon garanci për zgjedhjet e 18 qershorit, që sipas saj është vetëm largimi i qeverisë Rama.
Knut Fleckenstein, që është raportues për Shqipërinë në Parlamentin Europian është shfaqur gjithmonë në Tiranë për të zgjidhur konfliktet politike mes palëve, teksa hera e fundit ishte kur u miratua ligji i dekriminalizimit që i dha fund bojkotit të PD.
Vizita vjen pak ditë pasi është miratuar në Parlamentin Europian rezoluta për Shqipërinë e hartuar nga eurodeputeti gjerman dhe kriza politike do të dëmtonte procesin e integrimit.
Diskutime rreth kësaj post