Një ditë pas konferencës me tone të forta, presidenti Ilir Meta hodhi këtë të shtunë hapin e parë për idenë e tij të Referendumit, për “mbrojtjen e Kushtetutës”, siç e cilëson ai. Në një status në rrjetet sociale, ai përmendi nenin 150 të Kushtetutës.
“Populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë”.
Pikërisht varianti i kërkesës drejtuar Presidentit mund të shfrytëzohet nga Kreu i Shtetit, në këtë rast sipas Ligjit “çështja duhet të formulohet në mënyrë të qartë, të plotë dhe pa ekuivoke, dhe në mënyrë të tillë që zgjedhësit të përgjigjen me “PO” ose “JO”.
Këtu lind dhe pyetja se cila do të jetë çështja e cila do të zgjidhte problemet e renditura prej tij, me një “PO” ose “JO”. Aq më tepër kur duket se në këtë variant Kushtetuta nuk mund të preket.
Procedura që ndiqet në këtë rast nuk është fort e shpejtë. Kërkesa i kalon fillimisht KQZ-së, e cila vendos të miratojë ose jo kërkesën brenda 90 ditëve, dhe pastaj, nëse e miraton, kryen dhe verifikimin e procesit të mbledhjes së firmave.
Për referendumet për çështje të rëndësisë së veçantë, ndryshimet kushtetuese të vitit 2016, kanë shmangur nevojën e një vlerësimi nga Gjykata Kushtetuese, ndonëse ato nuk janë reflektuar në Ligjin përkatës, duke lënë një boshllëk për hapat që duhet të ndiqen.
Ky është versioni më i parë që mund të ndiqet referuar dhe deklartaës së Metës, të premten kur tha: “Le të jetë populli shqiptar dhe vetëm ai, që do të vendosë nëse pranon të rikthehet në Diktaturë apo do të mbrojë Demokracinë që është fituar me shumë trimëri, vuajtje dhe sakrifica njerëzore. Referendumi është demokracia direkte dhe në veprim! Presidenti i Republikës, do bëjë gjithçka që kjo e Drejtë të ushtrohet lirisht dhe pa asnjë pengesë”
Diskutime rreth kësaj post