Partia Demokratike nuk do të lejojë emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm nga maxhoranca, pasi sipas saj, “kjo është në konflikt me frymën e Kushtetutës dhe reformën në drejtësi”.
Gjatë një konference për shtyp të enjten, Kryetari i PD-së Lulzim Basha u shpreh se “me të gjitha mjetet dhe format, opozita nuk do të pranojë dhe nuk do të lejojë emërimin nga Edi Rama të Prokurorit të Përgjithshëm”.
“Qëndrimet tona janë të qarta. Prokurorin e Përgjithshëm nuk mund ta emëroj Edi Rama, që mori këtë sulm të ashpër ndaj prokurorëve të çështjes Tahiri dhe as deputetët e PS-së, miqtë e Saimir Tahirit nuk mund të emërojnë Prokurorin e Përgjithshëm. Kjo do të thotë fushë e lirë për krimin”, tha Basha.
Sipas tij, “tashmë është e qartë për të gjithë botën se, me bekimin e Edi Ramës, Policia e Shtetit ka funksionuar si një organizatë kriminale e strukturuar, me hierarki të përcaktuar: nga koka e saj Saimir Tahiri tek drejtorët e policisë së rretheve dhe shefat e anti-drogës e të terrenit”.
“Kjo organizatë shtetërore kriminale, bandat që ajo kontrollonte dhe paratë e drogës u përdorën nga Edi Rama për manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2017 dhe ruajtjen e pushtetit të tij. Por këmbanat po bien për Edi Ramën. Ai e di se po i vjen fundi dhe po bën gjithçka për të vendosur nën kontrollin e tij të plotë edhe sistemin e ri të drejtësisë. Me një prokurori dhe drejtësi të pavarur, Edi Rama e di se nuk shpëton dot dhe se dita kur do të japë llogari para drejtësisë është vetëm çështje kohe”, tha kryetari i PD-së.
Diskutime rreth kësaj post