Shkëlqim Hajdari, ish-drejtues i Prokurorisë së Apelit të Tiranës dhe kryetar i Shoqatës së Prokurorëve, ka shprehur bindjen se reforma në drejtësi do të sjellë ndryshime pozitive në organet e akuzës në mbarë vendin.
I ftuar në studion e “Report TV”, Hajdari ka deklaruar se figura e ardhshme e prokurorit të përgjithshëm do të jetë e shkëputur nga ndikimet e politikës dhe krimit, ndonëse për të arritur rezultate do të duhet kohë.
Zoti Hajdari: Pse u larguat nga prokuroria?
Shkëlqim Hajdari: Njerëzit e dinë. Kisha një përplasje me Adriatik Llallën sepse kur erdhi në prokurori ai ndërtoi një skemë për të çmontuar prokurorët e karrierës. Përplasjet e mia me Llallën kanë qenë për çështje konceptuale dhe kam dalë nga marrëdhëniet shoqërore me të, sepse kam konsideruar se prokuroria është aset i publikut shqiptar dhe duhet të punojë jashtë ndikimit politik. Sistemi i prokurorisë ka vuajtur, pasi Llalla ka shkatërruar karrierën e prokurorëve.
Kjo është një akuzë e fortë. Për çfarë qëllimesh mund ta ketë bërë zoti Llalla këtë?
Shkëlqim Hajdari: Nuk është hera e parë që e kam thënë këtë, sepse sistemi ia dha mundësinë zotit Llalla ta bënte. Kjo, pasi roli i tij ishte i centralizuar. Janë transferuar njerëz nga Krimet e Rënda në zona ku kanë bërë ligj bandat e armatosura pa asnjë kriter. Janë me dhjetëra prokurorë të Prokurorisë së Përgjithshme që janë dërguar në shkallën e parë pa marrë parasysh asgjë, që janë dërguar në rrethe pa marrë parasysh asgjë. Sot kemi një sistem prokurorie të çalë si pasojë e drejtimit joprofesional të zotit Llalla. Sidoqoftë, ai tashmë e ka mbaruar mandatin.
Në këndvështrimin tuaj, a ka bërë mirë që ka shkuar në zyrë?
Shkëlqim Hajdari: Ai duhet të rrijë në zyrë derisa të zgjidhet prokurori i përkohshëm, sepse vazhdimi i qëndrimit të tij në zyrë është shumë i rëndësishëm. Ka interceptime dhe përgjime që i autorizon vetëm kryeprokurori, ndaj ka bërë mirë që ka qëndruar. Nuk dua të bëhem pjesë e debatit politik, për mua e rëndësishme është që komisioni i ligjeve të ndërtojë një proces të ndershëm dhe bëj thirrje që të gjithë prokurorët që ndihen të aftë e që e shohin detyrën si patriotike të kandidojnë. Komisioni i ligjeve duhet të bëjë një proces të drejtë nën mbikëqyrjen e misioneve ndërkombëtare, prania e të cilëve është e domosdoshme.
A kemi ne kapacitete për një kryeprokuror të përkohshëm? A ka individë të gatshëm ta bëjnë këtë?
Shkëlqim Hajdari: Në Shqipëri pjesa e prokurorëve të ndershëm është e traumatizuar. Në mënyrën si u drejtua prokuroria, promovoheshe nëse plotësoje disa kritere që nuk kishin të bënin me ligjin për prokurorinë. Nisur nga ky këndvështrim unë mund të them se prokuroria ka njerëz të përkushtuar, por pjesa e kryeprokurorëve në rrethe kanë qenë vegla të zotit Llalla. Në këta 10-20 vetë që plotësojnë kushtet për kryeprokuror të përkohshëm ka burra dhe gra shumë të aftë.
Çfarë detyre parësore e pret kryeprokurorin e ri?
Shkëlqim Hajdari: Duhet të garantojë disa gjëra: 1, që trupa prokurorëve jashtë ndikimit politik dhe të krimit të zgjedhë 6 prokurorë që të shkojnë në KLP duke kaluar përmes vettingut. 2, duhet të mos shfrytëzojë kompetencën që ka për të bërë emërime përmes komandimeve. Drejtuesi i përkohshëm duhet të bëjë që prokurorët të kalojnë nëpër filtra e jo përmes gjuetisë së shtrigave. Ai duhet të jetë një figurë me integritet dhe jo një figurë e përgojuar.
Çfarë interesash ka politika që e mban pezull këtë çështje? Si mund të zgjidhet një gjë e tillë?
Shkëqlim Hajdari: Që kryeprokurori i ardhëshm do jetë një individ që nuk do kontrollohet nga krimi e politika, këtë e garantojnë ndryshimet kushtetuese. Politika mund të prodhojë një kryeprokuror dhe i rëndësishëm në këtë aspekt është procesi. Edhe për këtë që do të jetë i përkohshëm po rregullohet një proces.
A është përgjegjëse prokuroria për çështje të bujshme?
Shkëlqim Hajdari: Kjo është një histori që publiku dhe ne profesionistët ia kemi gjetur përgjigjen. Politika ka përdorur zotin Llalla dhe zoti Llalla i është vetofruar politikës për të orientuar hetimet e këtyre dosjeve gabim. Vettingu do të sqarojë shumë gjëra. E kam thënë se asnjë nuk do t’i shpëtojë reformës në drejtësi. Vettingun do ta bëjë fillimisht populli shqiptar, që ka përjetuar gjithë ato padrejtësi. Çdo njeri që ka qenë në prokurori duhet t’i nënshtrohet vettingut profesional, të pasurisë, etj, dhe do të shohim prova që tregojnë se askush nuk mund ta drejtonte më keq prokurorinë se zoti Llalla.
Po për dosjen “Tahiri”, ç’mendim keni?
Shkëlqim Hajdari: Më lejoni të mos bëj koment për këtë pjesë.
A mendoni se prokuroria do t’i vërë përpara drejtësisë kokat e krimit?
Shkëlqim Hajdari: E kam thënë para 3 vjetëve, që prokuroria pas reformës në drejtësi do të çlirohet nga kontrolli politik dhe i krimit. Të jeni të bindur se SHBA, Gjermania dhe vende të tjera të BE janë të vendosur që Shqipëria të ndahet nga paligjshmëria. Por nuk do të jetë e lehtë që ne të vëmë para drejtësisë njerëz që kanë instaluar në Shqipëri struktura të sofistikuara për transferimin e parave që rrjedhin nga aktivitetet e krimit. Por politika do të detyrohet të ngrejë KLP-në dhe KLGJ-në dhe vettingun do ta bëjnë qytetarët. Ata e dinë kush janë prokurorët e ndershëm e kush jo.
Pamë ditën e djeshme zotin Elezi që takoi Llallën. A e shihni atë si një kandidaturë?
Shkëlqim Hajdari: E kam dhënë përgjigjen për mikun tim Elezi. Asnjë anëtar i Këshillit të Prokurorisë nuk ka të drejtën morale të jetë kryeprokuror i përkohshëm.
Gjatë intervistës, zoti Hajdari ka folur edhe për ndryshimet që pritet të prekin inspektoratet në Republikën e Shqipërisë, të cilat sipas tij i janë nënshtruar reformimeve nën mbikëqyrjen e institucioneve të specializuara ndërkombëtare.
Zoti Hajdari, çfarë do të sjellë reforma për institucionet e inspektimeve?
Shkëlqim Hajdari: Përmes reformës ne synojmë të kapim standardet e BE-së në fushën e inspektimeve, në mënyrë që njësitë tona të jenë trupa profesionistësh, larg ndikimit politik dhe që veprojnë sipas ligjit. Pas disa vite punë jemi i vetmi vend në rajon që kryejmë inspektime me standarde, duke marrë dhe sugjerimet e biznesit për masat. Detyra jonë është që përmes profesionalitetit të ndikojmë për ta formalizuar biznesin, të krijojmë një marrëdhënie të re me të.
A do t’ia dalim?
Shkëlqim Hajdari: Do t’ia dalim sepse po bashkëpunojmë me institucionet ndërkombëtare, sidomos ato franceze, bashkëpunojmë me Komisionin Antikorrupsion të BE-së në Tiranë dhe ju garantoj se ristrukturimi i inspektorateve do të bëhet i tillë që do merret shembull nga vendet e rajonit. Në janar do të kemi në Tiranë inspektorin e përgjithshëm të Francës dhe ata të Ballkanit, në një takim ku do të diskutohen standardet e inspektimit.
Diskutime rreth kësaj post