Prokuroria e Krimeve të Rënda do të thërrasë sërish për ta marrë në pyetje ish –ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Burime nga grupi hetimor bënë me dije se kërkesa do t’i dërgohet brenda pak ditësh.
Prokurorët janë në pritje të zyrtarizimit të dorëheqjes së ish –ministrit Tahiri nga mandati i deputetit, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Vetëm pas vendimit të KQZ –së ata mund të ndërmarrin veprime ndaj tij, bazuar në provat e mbledhura nga hetimet e nisura prej muajit Tetor dhe nga disa prej letër –porosive të mbërritura nga Italia.
Nuk është e qartë nëse prokuroret kanë prova të reja. Por me dorëzimin e mandatit ata nuk kanë më pengesa për të vepruar, ndryshe nga sa ndodhi në Dhjetor, kur kërkesa e tyre u refuzua nga parlamenti, për mungesë provash.
Në këtë rast, Prokuroria e Krimeve të Rënda do të duhet t’i drejtohet gjykatës për të caktuar masë shtrënguese për Tahirin, duke i paraqitur prova të ndryshme nga ato që ka depozituar më parë, në kohën kur kërkoi bllokimin e pasaportës.
Me provat e mëparshme, gjykata e rrëzoi kërkesën e prokurorisë për të mos lejuar daljen e Tahirit jashtë vendit.
Provat kryesore mbi të cilat është bazuar hetimi i krimeve të rënda janë informacionet e kërkuara me letër-porosi në Itali, një pjesë e të cilave është administruar nga grupi i hetuesve.
Informacione kanë mbërritur edhe nga Greqia ku ish-ministri ka udhëtuar me Audin AA003GB, të cilin ia kishte shitur vëllezërve Habilaj, që po hetohen për trafik droge në Itali dhe që e kishte marrë sërish në përdorim disa herë të tjera, pasi ua kishte shitur, pa ndërruar pronësinë.
Pak ditë më parë në prokurori dëshmuan ish –truproja e Tahirit, Elvis Rexha dhe disa të afërm të Nazer Seitit, një nga njerëzit më të afërt të klanit Habilaj.
Diskutime rreth kësaj post