Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar verifikimet për kreun e Partisë Social Demokrate, Tom Doshi në kuadër të dekriminalizimit. Më 22 mars të këtij viti Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i kërkoi njësisë së dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë verifikim për zotin Doshi, ndërkohë që ky i fundit pak orë pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit dha dorëheqjen nga mandati i deputetit. Por kur kanë kaluar rreth 7 muaj, institucioni i akuzës i ka kthyer përgjigje KQZ. Në dokumentin e siguruar nga gazeta, prokuroria i thotë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve se i takon këtij institucioni që vendos nëse ka shkelje të ligjit për dekriminalizimin për kreun e KQZ.
“Sektori i Dekriminalizimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme ka miratuar rezultatet e verifikimit për subjektin Tom Gjek Doshi dhe ia ka përcjellë sot më 04.11.2021 Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili si organ kompetent në zbatim të nenit 12 e 13 të Kreut V të Vendimit të Kuvendit nr.17/ 2016, duhet të shqyrtojë nëse janë evidentuar të dhëna që përfshihen në sferën e kufizimeve të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, dhe në vijim të vlerësojë nëse ato janë brenda periudhës së ndalimit të përcaktuar në po këtë ligj”, thuhet në dokument.
Por në dosjen e plotë që mban datën 4 nëntor dhe është firmosur nga Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela dhe prokurorja Anila Leka, renditen edhe dënimet dhe procesimet që iu gjetën kreut Partisë Social Demokrate, Tom Doshi gjatë hetimeve të kryerja nga Prokuroria e Përgjithshme për llogari të KQZ-së. Kështu në gjetjet e prokurorisë bëhet e ditur se zotit Doshi dhe familjes së tij nuk i lejohet hyrja në SHBA, për shkak se janë persona “non grata”.
“Tom Doshit dhe familjes së tij nuk i lejohet hyrja në SHBA, sipas nenit 7031 (c), të aktit të përvetësimeve të konsoliduara FY 2017, të nxjerrë nga Sekretari i Shtetit i njoftuar publikisht më 16 prill 2018 nga Departamenti Amerikan i Shtetit, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të lartë”, thuhet në dokument.
Më tej në dosjen e siguruar nga gazeta, prokurorja Anila Leka rendit mes nëntë gjetjeve të tjera të ditura botërisht dhe të deklaruara edhe nga subjekti në fjalë edhe faktin se Doshi rezulton të jetë i dënuar për kundravajtje “sjellje e padenjë në shoqëri” dhe për këtë është dënuar me një vit heqje lirie në majin e 1990-s. Ndërkohë që në CV-në e tij Tom Doshi nga konstatimet e Prokurorisë së Përgjithshme po ashtu rezulton të jetë hetuar për akuzën e plagosjes së rëndë me dashje, viti 1990, organizim dhe pjesëmarrje në manifestime të paligjshme, për protestat e janarit 2012 për të cilën Prokuroria e Përgjithshme ka pushuar hetimet në atë kohë. Gjithashtu, në dosje bëhet e ditur se në vitin 2008 zoti Doshi është hetuar për “goditje për shkak të detyrës” që u ndryshua në “dëmtime të tjera me dashje”, por që u pushua një muaj më pas.
Njëherazi përmendet edhe dosja e bujshme e Doshi-Bami-Frroku për të cilën Prokuroria e Përgjithshme kujton se hetoi për kallëzim të rremë, deklarim të rremë para prokurorit dhe refuzim për deklarim të pasurisë; të gjitha këto të dërguara në Gjykatën e Lartë gjatë 2015 dhe që më pas u mbyllën me fitoren e Doshit.
Diskutime rreth kësaj post