Oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë mbërritur në shtëpinë e ish ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri për të bërë kontroll.
Një ditë pas vendimit të Kuvendit për të lejuar këtë kontroll, katër oficerët janë ngjitur në banesën e Tahirit i cili ka qenë i shoqëruar edhe nga avokati i tij.
Jashtë shtëpisë së tij ndodhen edhe gazetarë të shumtë, megjithatë teksa po futej për në banesë Tahiri nuk ka pranuar të prononcohet.
Organi i akuzës kërkoi autorizim për kontroll nga Gjykata për Krimet e Rënda menjëherë pas votimit në Kuvend.
Prokuroria për Krimet e Rënda e akuzon ish – ministrin për trafik të narkotikëve, në bashkëpunim, kryer në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë.
Javën e shkuar organi i akuzës iu drejtua Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve me kërkesën për heqjen e imunitetit të Tahirit, me qëllim arrestimin e tij, kontrollin personal dhe të banesës.
Prokuroria thotë se ka prova që e implikojnë ish – Ministrin me grupin e vëllezërve Habilaj. Këta të fundit, në dosjen e përgjimeve të autoriteteve italiane e përmendin në bisedat e tyre emrin e Tahirit.
Diskutime rreth kësaj post