Në Komisionin e Ekonomisë janë diskutuar disa ndryshime dhe shtesa që grupet e interesit kanë kërkuar të bëhet në ligjin për Lojërat e Fatit, që synon rikthimin online të basteve sportive.
Të lexuara nga kryetari i Komisionit është propozuar që në kriteret përzgjedhëse të 10 operatorëve kombëtarë që do të pajisen me licencë përveç kapitalit fillestar prej 100 milionë lekësh të shtohet dhe një komponent tjetër për shumat e investimeve që kompanitë synojnë të bëjnë në platformat e tyre.
Një tjetër propozim është krijimi i një sistemi ku çdo transaksion në platformat e lojërave online të lërë gjurmë. Më tej deputetët propozuan edhe krijimin e një databaze, ku shtresat në nevojë të mos lejohen të luajnë.
Gjithashtu kryetari komisionit, njëherësh edhe deputet i Kuvendit, Shalsi solli edhe propozimin për legalizimin e kazinove online, përveç basteve sportive, gjë që solli mjaft reagime.
“Në qoftë se duam ta lëshojmë edhe përtej basteve, pra edhe te lojërat elektronike online që i kishim poshtë çdo pallati lagjeje po tani duhet t’i bëjmë edhe online pas çdo kompjuteri, telefoni, tableti, kjo është ta lëshosh me të dyja duart këtë reformë.”-tha Braçe.
Deputetët socialistë patën edhe debate në lidhje me implementimin e platformës që do monitorojë bastet sportive
“Pse mos t’i ndërtojë shteti dhe pse platforma të mos jetë e shtetit, por duhet të jetë e një privati që e vë në dispozicion të këtyre kompanive dhe ku shteti duhet të ketë vetëm akses.“-tha Braçe.
“Edhe mua më pëlqen pjesa që ta ketë shteti, por duhen afate kohore më të mëdha, por edhe kapacitete financiare, dikush thotë 40, 80 apo edhe 120 milionë euro nëse do platforma reale.”-tha Eduard Shalsi.
Deputetët kërkojnë ndryshime edhe te mënyra e taksimit për bastet sportive online
“E dini sa lekë merr shteti në 100 lekë të luajtura… vetëm 1.12 lekë. Shtuar edhe tatimin që është zero te lojtarët, ne kemi pranuar që në këtë vend vetëm biznesi i vogël të jetë me zero përqind tatim. Prandaj duhet të shikojmë mënyrën e taksimit jo vetëm për t’i dhënë buxhetit të shtetit ca para më tepër, por edhe për ta bërë këtë lojë sa më pak të luajtshme.”-tha Braçe.
Ndryshimet tani do të shqyrtohen edhe nga Ministria e Financave, ndërsa drafti përfundimtar i ligjit pritet të votohet në parlament përpara mbylljes së këtij viti.
Diskutime rreth kësaj post