Arkitekti Stefano Boeri prezantoi në Ministrinë e Kulturës një projektide mbi restaurimin dhe rijetësimin e disa prej monumenteve më të rëndësishme të Durrësit. Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se amfiteatri i Durrësit ka vlera të jashtëzakonshme jo vetëm për vendin tonë, por gjithë rajonin.
“Një nga planifikuesit urbanë dhe arkitektët më të mirë ndërkombëtarë, Stefano Boeri prezantoi në Ministrinë e Kulturës, përpara specialistëve dhe anëtarëve të bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim The_AADF, Michael Granoff një projektide mbi restaurimin dhe rijetësimin e disa prej monumenteve më të rëndësishme në Durrës, me të cilëve edhe amfiteatri gati 2000-vjeçar, me një vlerë të jashtëzakonshme jo vetëm për trashëgiminë kulturore të Shqipërisë, por gjithë rajonit”, shprehte ministrja e Kulturës.
Sipas ministres Margariti synimi është që kjo zonë arkeologjike të jetë e aksesueshme nga të gjithë.
“Synimi është që zona arkeologjike e Durrësit të shndërrohet në një qendër model vizitueshmërie, e aksesueshme nga të gjithë, por mbi të gjitha që evidenton pasurinë e trashëgimisë sonë”, thotë Margariti.
Ministrja Margariti shprehet se rijetësimi dhe rivlerësimi i zonës arkeologjike të Durrësit mblodhi sërish politikëbërës, arkeologë, arkitektë e donatorë. Amfiteatri i Durrësit, më i madhi dhe më i rëndësishmi, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan, është ndërtuar në fillim të shek të II të e.s gjatë sundimit të perandorit Trajan. Ai ka vlera të veçanta arkitekturore dhe artistike dhe mund të krahasohet me monumentet e kësaj periudhe të Pompeit dhe Kapuas në Itali.
Amfiteatri ka trajtë elipsi me diametër 136 metra dhe lartësi rreth 20 m. Shkallarja për shikuesit e veshur me pllaka të bardha merrte 16-20.000 veta, ndërsa në arenë zhvilloheshin luftimet e gladiatorëve. Amfiteatri qëndron mes 30 amfiteatrove të zbuluar të botës antike nga Roma deri në Budapest dhe Lion.
Diskutime rreth kësaj post