Pas miratimit të reformës territoriale që solli reduktimin e bashkive dhe komunave nga 373 të tilla në 61 njësi të qeverisjes vendore, Qeveria Rama tani kërkon edhe kontrollin e plotë të tyre. Këtë synon ta bëjë përmes një projektligji që është hartuar nga Ministria e Financave.
Burime brenda Qeverisë sqarojnë se do të jetë Ministria e Financave që do të kontrollojë de jure të gjitha njësitë e qeverisjes vendore përmes krijimit të Këshillit të Njësisë së Vetëqeverisjes Vendore.
Në draftin e hartuar dhe që do të kalojë për diskutim, thuhet se ky këshill ka kompetenca të rëndësishme dhe në qoftë se nuk jep “OK” për financat, atëherë Bashkitë paralizohen. Kështu, kontrolli i tyre i kalon këshillit që është nën varësinë e Ministrisë së Financave të drejtuar nga Arben Ahmetaj.
Sipas projektligjit të hartuar, Këshilli i Njësisë së Vetëqeverisjes Vendore do të ketë këto kompetenca:
-miraton drejtimet në fushën e financave të njësive vendore
-miraton prioritetet strategjike të zhvillimit të njësisë vendore
-miraton dhe rishikon politikat fiskale të njësive të qeverisjes vendore
-miraton programin buxhetor afatmesëm të njësive vendore
-miraton buxhetin vjetor të Bashkive
-miraton huamarrjen e njësive vendore dhe merr masa për qëndrueshmërinë e menaxhimit financiar nga këto njësi
Pra siç mund ta shikoni, kur vjen fjala për financat që janë aspekti kryesor i punës së çdo institucioni, gjithçka varet nga Këshilli i Njësisë së Vetëqeverisjes Vendore që është nën varësinë e ministrit Ahmetaj, shkurt nën kontrollin e Kryeministrit Edi Rama.
Me këtë projektligj, Bashkive u jepet mundësia që të krijojnë të ardhura në mënyrë të pavarur dhe t’i përdorin ato në formën dhe mënyrat që dëshirojnë.
Por, të ardhurat që njësitë e qeverisjes vendore mbledhin përmes mënyrave të ndryshme janë shumë pak në raport me fondin që marrin çdo vit nga Qeveria. Dhe këto financa të akorduara nga pushteti qendror, tashmë planifikohet të jenë nën mbikëqyrjen e plotë të Qeverisë përmes këshillit.
Ky këshill do të ketë një kryetar, por që do të jetë ministri i Financave autoriteti që do të miratojë rregullat e menaxhimit të financave të Bashkive dhe do të ushtrojë kontrolle periodike.
Diskutime rreth kësaj post