Monumentet historike në Prizren nuk po shfrytëzohen për turizëm, pavarësisht parave të shpenzuara ndër vite për restaurimin e tyre.
Organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe”, ka publikuar analizën “Milionat e shpenzuara për monumentet e mbyllura”, ku vlerësohen rezultatet e investimeve prej rreth 3 milion eurosh, nga Komuniteti Ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Prizrenit, në restaurimin e dhjetë monumenteve të trashëgimisë kulturore në Prizren.
Analiza del në përfundimin se pothuaj të gjitha këto monumente janë të mbyllura për publikun, ndërsa i vetmi me plan menaxhimi është Hamami i Prizrenit, një objekt i shekullit të 16-të, restaurimi i të cilit ka nisur me donacione të qeverisë turke përmes UNESCO-s, e ku restaurimi është ndërprerë në mungesë të 50 mijë eurove në vitin 2014.
Pas një restaurimi prej 123 mijë dollarësh nga ambasada amerikane, centrali i parë elektrik dhe muzeu i vetëm i elektro-ekonomisë Hidroelektrana “Prizrenasja”, mbetet i mbyllur.
Ndërsa kishat e Shën Gjergjit dhe Shën Premtes, të restauruara nga Qeveria e Kosovës me një vlerë mbi 1 milionë euro, sipas hulumtimit janë të hapura vetëm për klerikë dhe besimtarë. Për t’i vizituar kërkohet leje nga liderët fetarë të Kishës Ortodokse Serbe, e që siç tregon hulumtimi në të shumtën e rasteve, përgjigjia është negative.
Në monumentin e dyfishtë, Muzeu Arkeologjik i Prizrenit dhe Sahat Kulla, restauruar me një fond rreth 250 mijë euro nga Ministria e Kulturës dhe ambasada amerikane ka vetëm një person të punësuar, ndërsa dyert për vizitorë janë të mbyllura.
I mbyllur është edhe Muzeu i Nënë Terezës i restauruar me një fond 102 mijë euro, që sipas raporteve zyrtare, punimet në të kanë përfunduar në vitin 2012.
Në këtë hulumtim nuk është përfshirë Kalaja e Prizrenit, për faktin se restaurimi i saj po zhvillohet aktualisht.
/ Top Channel
Diskutime rreth kësaj post