Presidenti Bajram Begaj, thotë se vizita e homologut austriak Alexander Van der Bellen, sot në Tiranës, është një tregues i marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve dhe popujve tanë.
“Për ne, Austria është një partner dhe mik historik i Shqipërisë dhe shqiptarëve. I shpreha Presidentit Van der Bellen vlerësimin për kontributin e tij të veçantë në forcimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona, në të gjitha dimensionet”, shkruan Begaj.
Më tej, presidenti i Shqipërisë thotë se gjatë takimit me Van der Bellen, ata kanë biseduar për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit, duke ndarë vlerësimin pozitiv për arritjet dhe duke inkurajuar nxitjen e këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat e mundshme me interes të ndërsjellë.
Shënimi i plotë i presidentit Bajram Begaj:
“Kënaqësi të mirëprisja sot Presidentin Federal të Republikës së Austrisë, Sh.T.Z. Alexander Van der Bellen. Vizitën e konsideroj një tregues të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve dhe popujve tanë.
Për ne, Austria është një partner dhe mik historik i Shqipërisë dhe shqiptarëve. I shpreha Presidentit Van der Bellen vlerësimin për kontributin e tij të veçantë në forcimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona, në të gjitha dimensionet.
Gjatë takimit, biseduam për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit, duke ndarë vlerësimin pozitiv për arritjet dhe duke inkurajuar nxitjen e këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat e mundshme me interes të ndërsjellë.
Mirënjohje për të gjithë mbështetjen që Austria i ka dhënë Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE, ku përfshihet mbështetja politike, ekonomike, infrastrukturore e mbi të gjitha mbështetja për reformën në drejtësi.
Kjo vizitë është gjithashtu, një dëshmi e mëtejshme e angazhimit serioz të Austrisë në proceset integruese të Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Shumë e rëndësishme është mbështetja e Austrisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si dhe për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. E falenderova Presidentin Van der Bellen për mbështetjen e plotë që Austria i ka dhënë vazhdimisht Kosovës, si dhe për liberalizimin e vizave, si dhe së fundmi, për dialogun Kosovë – Serbi, kaq të rëndësishëm për paqen në rajon.
Me Presidentin Van der Bellen rikonfirmuam qëndrimet e vendeve tona për dënimin e agresionit të paprovokuar rus ndaj Ukrainës, kundër një vendi sovran dhe në mbështetjen e palëkundur për popullin ukrainas dhe të integritetit territorial të saj.”-shprehet Begaj.
Diskutime rreth kësaj post